1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Von der Leyen kërkon 12.000.000.000 € më tepër

30 Prill 2018

Bundeswehri do të marrë më shumë para - por kjo nuk mjafton sipas mendimit të ministres së Mbrojtjes. Në rast se buxheti nuk shtohet Ministria e Mbrojtjes pritet të anulojë disa projekte.

Ursula von der Leyen besucht die Marine
Fotografi: picture alliance/dpa/A. Heimken

Sipas informacioneve të mediave gjermane ministrja federale e Mbrojtjes Ursula von der Leyen ka kërkuar gjatë negociatave buxhetore konfidenciale një shtesë prej dymbëdhjetë miliardë eurosh për katër vitet e ardhshme, pra shumë më tepër nga sa ishte planifikuar në projektbuxhetin e ministrit të Financave Olaf Scholz. Ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen (CDU) kërkon për vitin 2019 tre miliardë euro shtesë, për vitin 2020, katër miliardë dhe për vitin 2021 pesë miliardë, njofton gazeta "Bild am Sonntag". Ministri i Financave Scholz (SPD) është i gatshëm ta rrisë buxhetin për mbrojtjen - por vetëm me një shumë prej 5.5 miliardë euro.

Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

"Matur me nevojën e madhe për modernizimin" e ushtrisë gjermane Bundeswehr, shtesat e planifikuara të buxhetit janë "të pamjaftueshme", ka kritikuar kohët e fundit Ministria e Mbrojtjes. Nëse fondet nuk rriten dukshëm duhet që të paktën një nga projektet e mëdha ndërkombëtare të armëve, për të cilin është rënë dakord të ndërpritet, u tha nga selia e ministrisë në Berlin.

Lista e anulimeve gati

Sipas gazetës "Bild am Sonntag" ministrja e Mbrojtjes von der Leyen e ka gati tashmë një listë me projektet që pritet të anulohen në rast se nuk miratohet shuma që ajo kërkon. Në krye të listës është bashkëpunimi i planifikuar për nëndetëset me Norvegjinë. Norvegjia dëshiron të blejë në vitin 2019 katër nëndetëse të prodhuara nga koncerni gjerman, ThyssenKrupp.

Avionë transporti të tipit Hercules C-130Fotografi: Imago/StockTrek Images

Në të njëjtën kohë, Bundeswehri do të porosisë dy nëndetëse identike dhe predha nënujore me telekomadim të prodhuara nga kompania norvegjeze Kongsberg. Në listën në fjalë parashikohet gjithashtu që të shtyhet edhe blerja e gjashtë avionëve të transportit, thuhet nga burimet e Ministrisë së Mbrojtjes. Avionët e tipit Hercules C-130 planifikohet të jenë pjesë e një skuadroni gjermano-francez.

Gjatë kohëve të fundit ndaj ushtrisë gjermane Bundeswehr janë shtuar zërat kritikë në lidhje me pajisjet dhe aftësitë për të marrë pjesë në operacione. Shoqata që përfaqëson punonjësit e Bundeswehr-it kërkon madje një rritje të buxhetit të mbrojtjes prej 15 miliardë eurosh deri në vitin 2021.

 

 

pp/(dpa, rtr, afp)