1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Von der Leyen: Në fjalimin për Europën zë vend edhe Ballkani

8 Nëntor 2019

Në një fjalim programatik në Berlin, presidentja e ardhshme e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka prezantuar prioritetet e politikave të ardhshme të BE, ku bën pjesë edhe një Europë që mëson gjuhën e pushtetit.

Deutschland Europa-Rede Ursula von der Leyen
Fotografi: Reuters/A. Hilse

Sipas presidentes së emëruar të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Europa duhet të paraqitet më energjike në botë: „Europa duhet të mësojë edhe gjuhën e pushtetit", tha politikanja e CDU-së në një aktivitet të përbashkët të Fondacionit Konrad Adenauer dhe Fondacionit e "E Ardhmja" në Berlin. „Kjo do të thotë nga njëra anë të trajnosh muskujt e tu aty, ku për një kohë të gjatë mbështeteshim tek të tjerë, si në politikën e sigurisë", tha ish-ministrja gjermane e Mbrojtjes në Berlin të premten. Nga ana tjetër edhe fuqia aktuale duhet të vihet më me efikasitet në përdorim, kur bëhet fjala për interesa europiane, tha ajo.

Von der Leyen mori si shembull politikën tregtare. Së bashku shtetet e BE janë „fuqia më e madhe tregtare e botës", dhe mundet që „me efekt" të negociojnë si për dogana dhe marrëveshje tregtare". Sipas von der Leyen shokimi që shkaktoi Brexit në BE e ka „bërë më të bashkuar Europën". „Nuk ka asnjë sfidë për Europën që nuk mund të mposhtet me fuqinë që ka Europa", theksoi von der Leyen.

Presidentja e ardhshme e KE foli edhe për klimën. Deri në vitin 2050 Europa duhet të jetë neutrale në drejtim të klimës, tha von der Leyen e bëri të ditur, se do të paraqesë një ligj europian për klimën, që „këtë qëllim politik ta përkthejë në të drejtë ligjore".

Ursula von der Leyen Fotografi: Reuters/A. Hilse

Ballkani zë vend në fjalimin e von der Leyen

Von der Leyen bëri po ashtu fjalë për një „politikë strategjike të zgjerimit". Që para fjalimit të saj, presidentja e ardhshme e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një takim me kancelaren Merkel theksoi, se perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor është në interesin europian, si nga ana strategjike ashtu edhe për shkak të arsyeve të migrimit.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë përpjekje të jashtëzakonshme për të plotësuar kushtet e BE, nëse nuk ka bisedime anëtarësimi, me të dyja këto vende do të ndërmerren projekte të përbashkëta, bëri të ditur, von der Leyen. „Nëse ne europianët nuk i afrojmë ata me ne, atëherë këtë boshllëk do ta mbushin të tjerët, qoftë Kina apo Rusia, Turqia apo Arabia Saudite", paralajmëroi von der Leyen. Presidenti francez, Macron së fundmi u shpreh kundër bisedimeve të anëtarësimit me të dyja vendet, pasi ai kërkon të reformojë fillimisht procesin e negociatave. Von der Leyen pritet të marrë postin e presidentes së Komisionit Europian më 1 dhjetor.

 

la/uh/qu (dpa, rtr)