Votime tё qeta pёr kryetar komune nё veri tё Mitrovicёs
23 Shkurt 2014Pas asnjë incident të shënuar dhe me një pjesmarrje jo shumë të madhe të qytetarëve, të dielën (23.02.2014) në veri të Mitrovicës u zhvilluan zgjedhjet e jashtzakonshme për kryetar të komunës. Qytetarët e kësaj komune veriore ndonëse për herë të parë tё përfshirë në zgjedhje lokale, votuan për herë të katërt që nga nëntori i vitit të shkuar. Zgjedhjet u përsëritën pasi kryetari i zgjedhur Kërstimir Pantiq, humbi mandatin duke mos dashur të betohet nën ligjet e Republikës së Kosovës. KQZ-ja bën të ditur se pjesmarrja e qytetarëve në votime në veri të Mitrovicës deri në orët e pasditës ishte pak mbi 15%, nga rreth 29 mijë qytetar sa kishin të drejtë vote.
“Kjo pjesëmarrje është shumë më e lartë krahsuar me shifrat e pjesëmarrjes nё të njëjtën etapë të zgjedhjeve të fundit lokale të mbajtura më 3 nëntor 2013. Atë kohë kemi pasur 1,979 votues, apo 7.09 për qind. Nuk është shënuar ndonjë parregullsi”, thotë Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së.
Ishin katër kandidatë për kryetar të komunës së veriut. Goran Rakiq nga Iniciativa Qytetare Serbe, subjekt ky politik që e ka mbështetjen e qeverisë në Beograd. Oliver Ivanoviq, nga Serbija Demokracia Drejtësia. Ivanoviq, akoma gjendet në paraburgim i dyshuar për krime ndaj civilëve pas përfundimit të luftës. Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Musa Miftari nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Forca të shumta të organeve të rendit sigururuan mbarvajtjen e procesit të votimit. Zyrtarë të misionit EULEX deklaruan se “pjesëtarët e këtij misoni Policia e Kosovës dhe forcat paqerujatëse, kanë planifikuar në mënyrë të kujdesshme masat e sigurisë për zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut dhe u kanë garantuar qytetarëve të drejtën për të votuar”.
Për të lehtësuar procesin e votimit në veri të Mitrovicës edhe kësaj radhe është angazhuar OSBE-ja. Numërimi i votave kësaj radhe bëhet në qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, ndërsa, rezultati i tyre pritet ditën e hënë 24.02.2014).
Përfshirja e komunave veriore të Kosovës në zgjedhjet komunale u bë e mundur vetëm pas nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.