1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vrapimi Malor: Rast i mirë afrimi mes sportistëve nga të 5 kontinentet

11 Shtator 2011

Rreth 420 atletë nga 33 shtete ishin pjesmarrës në kampionatin botëror që për hërë të parë u zhvillua në Shqipëri.

The view from the 27th World Mountain Running Championships / Tirana, ALBANIA Author: Arben Muka /DW Correspondent in Albania Time: 11.09.2011 Place: Tirana / ALBANIA
Brenda territorit të gjelbëruar të kopshtit botanik, atletët zhvilluan garat në një terren të thyer në lartësi 500-700 metra me disa ulje ngritjeFotografi: DW/Arben Muka

Federata Shqiptare e Atletikës në koordinim të plotë me Federatën Ndërkombëtare të Vrapimit Malor kishin zgjedhur një nga zonat më të përshtatshme të Tiranës për të improvizuar pistat e garave. Brenda territorit të gjelbëruar të kopshtit botanik, atletët i zhvilluan garat në një terren të thyer në lartësi nga 500 deri në 700 metra me disa ulje ngritje. Rreth 420 atletët që përfaqësonin 33 shtete të globit konkuruan në 4 gara kryesore, dy për femrat dhe dy për meshkujt, të selektuar sipas moshës. Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, shprehet se kampionati kishte në thelb konkurencën mes sportistëve, si një finalizm i përgatitjes dhe angazhimeve disa mujore që atletët kishin bërë pranë ekipeve të tyre. Por nga tjetër cilido përfaqësues ishte një “Ambasador i Paqes” për vendin e tij, thotë Ruli për DW.

Gjergj RuliFotografi: DW/Arben Muka

“Gara është garë dhe njëri fiton. Ne vlerësojmë edhe atë që vjen i fundit, sepse ai me shpirtin e tij jep vlerë pasi e përfundon garën. Sportistët janë njerëzit që sjellin kulturën nga vendet e tyre, çdo atlet vjen për të demonstruar me flamurin shtetin që përfaqëson, Kjo lloj gare për Shqipërinë promovon të gjitha vlerat e turizmit malor në Shqipëri, turizmit bregdetar, arkeologjik etj. Ky kampionat na bën shumë serioz në Federatën Botërore, sepse sot ndjehemi partnerë që me shumë guxim mund të marrim përsipër organizime të tjera më të rëndësishme.”

Wolfgang Münzel është drejtuesi i ekipit gjerman në kampionat. Eshtë ekspert i vrapimeve malore nga viti 1986 dhe nga viti 1996 është pjesë e strukturave të Federatës Botërore të Vrapimeve Malore. Münzel thotë për DW se ekipi përbëhet vetëm nga dy sportistë, dy atletë të rinj me rezultate të dukshme në veprimtari ndërkombëtare dhe me mjaft perpektivë. Prezanca vetëm me dy sportistë nuk ka të bëjë aspak me neglizhencën tonë, thotë Wolfgang Münzel për DW.

Wolfgang MünzelFotografi: DW/Arben Muka

“Problemi ynë është që në Gjermani zhvillojmë gara të tilla vetëm në ngjitje malore dhe jo me ngjitje e zbritje. Sportistët tanë janë të profilizuar në terrene të tilla. Jam për herë të parë në Shqipëri dhe ndjehem i befasuar. Organizimi është i përsosur në një mjedis shumë të përshtatshëm për garën, por dhe piktoresk e relaksues. Kjo është në funksion të objektivit që ka Federata Ndërkombëtare, përveç shpirtit të garës me ‘fair play', ti trajtojmë sportistët dhe ti vendosim në kushtet e një familjeje të madhe. Këtu në Shqipëri njerëzit kanë afeksion për Gjermaninë. Dje në paradën e ceremonisë hapëse të Kampionatit kur ishte rradha jonë ne u ndjemë të kënaqur sepse shumë të pranishëm shqiptarë filluan të thirrnin Gjermania, Gjermania! Ata janë shumë miqësorë me ne gjermanët në mënyrë të veçantë.”

Anton PalzerFotografi: DW/Arben Muka

Anton Palzer, 18 vjeç, është nga jugu i Gjermanisë. Para konkurimit në Tiranë ai ka patur një sërë rezultatesh shumë pozitive në rang europian e botëror, si në Turqi, Slloveni etj. “Këtu ndjehem shumë mirë. Por kam patur probleme të ndryshimit klimatik. Ne vendbanimin tim ka kushte të tjera atmsferike, ku temperatura këtu në Tiranë është më shumë se 20 gradë diferencë. Javën e fundit nuk kam qënë mirë nga ana shëndetësore dhe këto ishin pengesa për garën. Por çdo rezultat të vlen që të përmirësosh teknikën dhe ngarkesën në të ardhmen.”

Dejan AngelovskiFotografi: DW/Arben Muka

Dejan Angelovski, sekretar i përgjithshëm i Federatës maqedonase të atletikës thotë se ka një bashkëpunim shumë të mirë me homolgët shqiptarë, si dhe me vendet e tjera të rajonit.

“Ne nuk presim vetëm të tilla veprimtari në rang botëror. Priremi që të organizohemi në rang rajonal, apo qoftë dhe mes fqinjëve. Kemi shumë aspekte të përbashkëta, hasim të njëjtat probleme në punën e përditshme kështu që vlejnë shkëmbimet e eksperiencave mes ekipeve tona. Aktivitetet rajonale nuk kanë kosto dhe procedurat organizative janë më të thjeshta”

Imer Hasani nga Tetova është njëri prej 9 sportistëve që përbëjnë ekipin atletik të Maqedonisë. “Mezi e kam pritur këtë garë. Shikoni se si janë përzjerë sportistët, duke qëndruar kështu bashkë të duket bota më e vogël. Sikur kështu kemi ndejtur edhe para disa javësh. Unë kam zënë miq të rinj nga vende të tjera.”

Në kampionatin botëror të Tiranës morën pjesë ekipet nga Shqipëria, Austria, Gjermania, Belgjika, SHBA, Australia, Kroacia, Bullgaria, Rusia, Italia, Rumania, Serbia, Turqia, Sllovenia, Britania e Madhe, Meksika etj. Organizimi i kampionateve botërore të vrapimit malor bëhet rregullisht çdo vit qysh nga 1985-a kur mikrpritës të atletëve nga e gjithë bota ishte Italia.

Autor: Arben Muka
Redaktor: Pandeli Pani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW