1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dyshim për terror të ekstremizmit të djathtë në Gjermani

20 Shkurt 2020

11 të vdekur pas të shtënave në Gjermani, në qytetin Hanau. Prokuroria e Përgjithshme flet për dyshim terrorist me motive ekstremiste të djathta.

Deutschland Tote durch Schüsse in Hanau
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/M. Probst

(E akt.) Hetimet për vrasjes në Hanau i ka marrë ndërkohë përsipër Prokuroria e Përgjithshme gjermane. Ministri i Brendshëm i landit të Hessenit, Peter Beuth, CDU tha të enjten, se "ai e kategorizon krimin si të dyshuar për dhunë terroriste". Autori i vrasjeve është 43 vjeçar gjerman në Hanau, tha Beuth. "Të dhënat e para të vlerësuara nga homepage i tij flasin për motiv me bazë armiqësinë ndaj të huajve." Ky person duket se ka vepruar vetëm. "Deri tani nuk ka të dhëna për autorë të tjerë." Beuth e dënoi vrasjen si "sulm ndaj shoqërisë së lirë dhe paqësore." Hetuesit janë të mendimit, se autori në fund ka vrarë veten dhe nënën 72 vjeçare. I dyshuari për vrasjet nuk ka qenë më parë në fokus të autoriteteve të sigurisë."

11 të vdekur

Sipas njoftimeve të radios së landit Hesen, fillimisht u sulmua një shisha-bar në qytetin e Hanaut natën e së enjtes. Dëshmitarë okularë kanë thënë, se ka pasur disa të shtëna, pastaj autori apo autorët janë larguar me automjet. Në lagjen Kesselstadt është qëlluar sërish në një shisha-bar tjetër. Edhe këtu ka pasur disa viktima. Të enjten në mëngjes, policia bëri të ditur, se ka gjetur kufomën e autorit të dyshuar në apartamentin e tij në qytetin Hanau. Aty forcat speciale gjetën edhe një person tjetër të vdekur, më vonë u identifikua si nëna e autorit të vrasjeve. Gjithsej në Hanau humbën jeten 11 vetë, katër vetë janë plagosur.

Sipas informacioneve nga qarqet e sigurisë u gjet edhe një letër dhe video e autorit të dyshuar të vrasjeve. Dpa njoftoi fillimisht se, ka të dhëna për motivin e urrejtjes ndaj të huajve. Edhe gazeta "Bild" shkroi, se autori i dyshuar ka vepruar me motiv ekstremist të djathtë. Tek autori i vrasjeve bëhet fjalë për një gjerman që ka pasur të drejtën e armës për gjueti. Në automjetin e tij është gjetur edhe municion luftarak, raporton "Bild" bazuar në qarqet e policisë.

Fotografi: Reuters/K. Pfaffenbach

Tronditje në Gjermani

Kreu i bashkisë së Hanaut, Claus Kaminsky, CDU u shpreh i tronditur për dhunën në qytetin e tij. "Kjo ishte një natë e tmerrshme që do na preokupojë gjatë dhe do të qëndrojë gjatë si një kujtim pikëllues." Kreu i bashkisë porositi që shkollat dhe disa kopshte në Hanau të mbeteshin të mbyllura ditën e enjte. Edhe deputetja e Bundestagut e zonës zgjedhore të Hanaut, Katja Leikert, CDU u shpreh e tronditur e bëri fjalë për një "skenar tmerri". "Në këtë natë të tmerrshme, u dëshiroj familjeve të viktimave shumë forcë për të përballuar dhimbjen dhe shpreh ngushëllimin e thellë."

Qeveria gjermane reagoi e tronditur pas dhunës në Hanau. "Mendimet tona janë këtë mëngjes tek njerëzit në Hanau, në qendër të të cilit u krye një krim i tmerrshëm", shkroi zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert në twitter. "Ngushëllimet tona për familjet e prekura që vajtojnë për të afërmit e humbur", shkruan Seibert.

Fotografi: Getty Images/AFP/Y. Schreiber

I tronditur u shpreh edhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel. "Humbja e pakuptimtë e jetëve të njerëzve është një tragjedi, pavarësisht ku ndodh ajo", shkroi ai në twitter- "Pas sulmit të tmerrshëm jemi me mendje tek njerëzit në Hanau."

 

la/ml/mak/kle (dpa, rtr, afp, twitter, hessenschau.de)