1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vritet në Shqipëri deputeti Fatmir Xhindi

3 Maj 2009

Në rrethana të panjohura, mbrëmë në Roskovec, në qarkun e Fierit, është vrarë me armë zjarri deputeti i opozitës Fatmir Xhindi. Policia ofron 250.000 euro shpërblim për informacione që mund të zbardhin këtë ngjarje.

Policia kontrollon rrugët
Policia kontrollon rrugëtFotografi: DW/Cama

Të shtunën në mbrëmje në qytetin e Roskovecit, në qarkun e Fierit, është vrarë me armë zjarri deputeti i opozitës Fatmir Xhindi. 49-vjeçari ishte duke parkuar automjetin në oborrin e shtëpisë, kur rreth orës 21.15 është qëlluar me një breshëri automatiku nga autorë të paidentifikuar ende. Fatmir Xhindi u dërgua nga familjarët menjëherë në spitalin e Fierit, por nuk i ka mbijetuar dot 6 plumbave që kishte marrë në trup.

Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetime intesive. Ende nuk ka një variant zyrtar për shkaqet dhe autorët e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Sipas të dhënave të para të ekspertizës, ai është qëlluar pas shpine me automatik tip Kallashnikov, nga një distancë rreth 2 metra.

Ministria e Brendshme në Tiranë vuri në dispozicion të atyre që japin informacion mbi këtë ngjarje një shumë prej 250 mijë eurosh, si dhe dy numra telefoni te posaçëm.

Sali BerishaFotografi: AP

Politikanët e dënojnë vrasjen dhe kërkojnë zbardhjen e saj

Kryeministri Sali Berisha e përshkroi vrasjen e deputetit të PS-së si një "akt kriminal dhe barabar, një ngjarje shokuese për Fierin dhe për gjithë vendin". Sipas tij qeveria do të bëjë çdo përpjekje që autorët të vendosen para drejtësisë.

Shefi i Opozitës Edi Rama duke vizituar familjarët e deputetit të vrarë në qytetin e Roskovecit, kërkoi zbardhjen sa më parë të ngjarjes.

Fatmir Xhindi, baba i tre fëmijëve, ishte një nga themeluesit e PS në qarkun e Fierit. Nga viti 1997, për tre legjislatura rradhazi, ai ka qënë deputet në këtë zonë.

Nga burime të familjes ai pritet të përcillet për në banesën e fundit sot në orën 3 pasdite.

Ky është rasti i dytë kur vritet një anëtar i parlamentit në Shqipëri. Më 12 shtator 1998 pranë selisë së PD, në qëndër të Tiranës, u vra deputeti Azem Hajdari, njëri prej organizatorëve të Lëvizjes Studentore në fillim te viteve 90 në Shqipëri.

Autor: Arben Muka

Redaktor: Bahri Cani