Vuçiç dhe Dodik priten me protesta në Tiranë
9 Maj 2019Tirana ka mbledhur të enjten ( 09.05.2019) tetë presidentë: 6 të vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) dhe Presidentin e Kroacisë dhe Sllovenisë që do të marrin pjesë në samitin e shtatë të procesit të Brdo-Brijunit. Sipas rotacionit mes vendeve të BP, samiti i sotëm është i mirëpritur nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Në samit merr pjesë, si e ftuar nderi, edhe Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e BE, për Politikën e Jashtme dhe Zv. Presidente e KE.
Ende nuk ka mekanizma efikasë bashkëpunimi
Burime zyrtare thanë për DW se pritshmëritë nga samiti i Tiranës janë: forcimi i dialogut politik dhe i bashkëpunimit rajonal mes vendeve anëtare të procesit të Brdo-Brijunit, pa lënë jashtë vëmendjes zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dy palëshe dhe atyre rajonale, si parakushte për përshpejtimin e procesit të hyrjes së vendeve të BP në BE.
Shtatë vjet pas lanҫimit të këtij procesi nga Sllovenia dhe Kroacia duket se vendet pjesëmarrëse - Bosnjë-Herzegovina, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Sllovenia dhe Shqipëria - nuk ia kanë dalë mbanë të ngrenë mekanizma konkretë dhe efikasë për të mbështetur fuqimisht integrimin e vendeve të BP në BE, duke mbetur kryesisht në nivelin e deklaratave në përfundim të samiteve. A do të ndodhë kalimi nga deklaratat në rezultate konkrete në samitin e Tiranës? Zhvillimet dje, në mbrëmjen e të mërkurës, në prag të samitit, parathonë se kjo nuk do të jetë e lehtë.
Presidentët Vuҫiҫ dhe Dodik priten me protesta
Një protestë e paralajmëruar nga dega në Tiranë e Lëvizjes "Vetëvendosje” e Kosovës dhe e mbështetësve të saj kundërshtoi praninë në Tiranë të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuҫiҫ dhe Presidentit të Republikës Serbe, në Bosnjë - Herzegovinë, Milorad Dodik. Protestuesit mbanin parulla dhe pankarta ku Vuҫiҫ dhe Dodik quheshin "persona non grata në Shqipëri” si edhe parulla kundër qëndrimit, sipas protestuesve, pro të Mogherimit, ndaj opsionit të dështuar tanimë të ndryshimit të kufinjve.
Protesta u shndrrua nga paqësore në të dhunshme kur protestuesit tentuan, pa sukses, të thyejnë kordonin e policisë, që i ndaloi ata të marshonin në Bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, për të shkuar në sheshin "Nënë Tereza”. Policia u la protestuesve një hapësirë të kufizuar, përballë ish-Piramidës dhe ndaloi disa prej tyre që ishin në krye të përpjekjeve për të ҫarë kordonin e policëve.
Boiken Abazi, Drejtor Ekzekutiv i degës në Tiranë të Lëvizjes "Vetëvendosje”, në fjalën e tij iu referua asaj që ai e quajti ”e kaluar kriminale e Vuҫiҫ dhe Dodik në Ballkan”. Ai solli në vëmendje pozitën e Vuҫiҫit, si Ministër i Informacionit në qeverinë e Millosheviҫit dhe cilësimin prej tij të ish-Presidentit të Serbisë, në shtatorin e vitit të kaluar, si "një udhëheqës i madh, që kishte synime shumë të mira”.
Sipas Boiken Abazit "Vuҫiҫ po përgatitet që me bashkëpunëtorë - politikanë shqiptarë të bëjë ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, gjë që ata e quajnë shkëmbim territoresh apo korigjim kufinjsh”, duke lënë të nënkuptohen deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Haradinaj për një të ashtuquajtur plan, komplot të kryeministrit Rama, Presidentit të Kosovës, Thaҫi dhe Presidentit serb, Vuҫiҫ "për të ndarë territorin e Kosovës”.
Rama- Komploti, gënjeshtër dhe marrëzi e rrezikshme
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Mogherinin, të mërkurën pasdite (08.05) kryeministri Rama i quajti deklaratat për ndarjen e Kosovës, "gënjeshtra në përmasa marramendëse dhe marrëzi të rrezikshme”. "Çdo shqiptar me dy fije mend në kokë e kupton që kjo është e gjitha një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme, që pikërisht të mund të shitet e të blihet në territorin e marrëzisë online” theksoi Rama.
Kurse e ngarkuara e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini mohoi të jetë "pjesë e ndonjë plani” për ndarjen e Kosovës dhe bëri përgjegjëse Kosovën për ndërprerjen e dialogut, për shkak të tarifës 100% për mallrat serbe. "Jam e bindur që nëse do të hiqen këto tarifa, sonte, nesër në mëngjes, unë do të bëja thirrje për një seancë të re të dialogut dhe kjo do të ishte e vështirë si zakonisht, e dhimbshme si zakonisht, por ndoshta produktive, frytdhënëse” tha Mogherini.
Samiti i Tiranës në kuadër të procesit Brdo-Brijun zhvillohet një javë pas samitit të Berlinit për BP, që nuk arriti të bindë kryeministrin Haradinaj që të heqë tarifën 100% , si parakusht për rifillimin e dialogut, edhe pse samiti i Berlinit hodhi në erë opsionin e korigjimit të kufijve si zgjidhje për normalizimin e marrdhënieve Serbi-Kosovë. Seanca e diskutimeve në samitin që zhvillohet sot në Tiranë është e mbyllur për mediat. Në përfundim të tij, aty nga mesdita, është paralajmëruar një konferencë shtypi.