Wadephul në Tiranë: Më shumë angazhim kundër korrupsionit
17 Nëntor 2025
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Johann Wadephul u bëri thirrje vendeve aspirante për në BE, që të vazhdojnë me ritëm të fuqishëm në një të ardhme të afërt reformat:"Ne jemi të gatshëm t'ju mbështesim. Gjermania gjithmonë ka qenë një vend që mbështet zgjerimin. Por është detyrë e vendeve kandidate, që të plotësojnë kushtet", tha politikani kristiandemokrat, kryediplomati i Gjermanisë Wadephul në takimin pasdite (17.11.2025) në Tiranë me ministren e Jashtme të Shqipërisë Elisa Spiropali.
E as në Shqipëri dhe as në Mal të Zi (që ai e vizitoi më parë), por as edhe në vende të tjera të rajonit, kjo nuk ka ndodhur, vëren Wadephul. Shkurtim gjatë rrugës për në BE, sipas tij nuk do të ketë.
Megjithatë, Wadephul shprehu mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugën “jo fort të lehtë” drejt BE-së. “Nëse Shqipëria do të vijojë të ecë në rrugën që ka nisur dhe nëse intensifikon më tepër përpjekjet e saj, mendoj se shanset e anëtarësimit janë mjaft të mira. Ne do t’ju mbështesim në këtë rrugëtim” – shtoi ministri gjerman. Ndërsa Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha se Tirana shpreson që t’i mbyllë më 2027 bisedimet e anëtarësimit dhe që brenda kësaj dekade të bëhet anëtare e BE-së. “Por jemi plotësisht të vetëdijshëm se Shqipëria ka ende rrugë të gjatë dhe sfiduese përpara” – shtoi ajo.
Më shumë angazhim kundër korrupsionit
Wadephul kërkoi edhe më shumë angazhim kundër korrupsionit, këtë ai e theksoi edhe duke vizituar së pari në Shqipëri Prokurorinë e Posaçme, SPAK, ku bisedoi me drejtuesin e kësaj strukture Altin Dumani. Wadephul vlerësoi faktin, që Shqipëria ka një institucion kaq të fortë, që po bën përparime në zbardhjen dhe luftimin e korrupsionit. Njëkohësisht ai nënvizoi, se "lipset përqendrim i posaçëm i punës" në këtë drejtim.
“Gjykata dhe prokuroria duhet të bëjnë të lira punën e tyre. Ky ka qenë edhe thelbi i bisedës me prokurorin e Gjykatës së Posaçme, ku i shpreha vlerësimin tim” – tha Wadephul. “Aty është duke u bërë një punë e konsiderueshme. Kjo duhet të vijohet më tej në mënyrë këmbëngulëse dhe të vazhdueshme, që të mos jetë një detyrë sporadike, por e përhershme” – shtoi ministri gjerman.
Qeveria gjermane ndan shqetësimin, që Shqipërisë - ashtu si edhe të gjitha shteteve në Ballkanin Perëndimor - u duhet të luftojnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar, që shpesh lidhet me mafien ndërkombëtare të drogës.
Pas këtyre takimeve janë planifikuar bisedime politike.
Wadephul: Zgjerimi i BE-së "është në interesin tonë"
Në Podgoricë (16.11.2025) një ditë më parë Wadephul pas takimit me presidentin Jakov Milotovic, kryeministrin Milojko Spajic dhe ministrin e Jashtëm Ervin Ibrahimovic, theksoi, se zgjerimi i BE-së "është në interesin tonë". Pikërisht në kohë të ndryshimeve gjeopolitike duhet të "vetëdijësohemi se çfarë na bashkon: Një hapësirë e ligjit, pavarësisht të gjitha sfidave një fuqi e rëndësishme ekonomike, që ka peshë politike, që mundëson lirinë."
Duke iu referuar këtij mesazhi të ministrit gjerman, Spiropali theksoi se Shqipëria do të mbetet një partner i besueshëm i procesit evropian. “Shqipëria është e gatshme që sot të mbajë qëndrimin se nuk do ta përdorë votën apo veton e saj për të penguar vendimmarrjen e BE-së. Ashtu si edhe tani, kur ende nuk jemi anëtare, ne respektojmë plotësisht vendimmarrjen brenda Bashkimit Evropian” – tha ajo.