1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Gjermania donatori kryesor në Shqipëri"

Arben Muka22 Shkurt 2013

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë gjatë takimeve me udhëheqësit kryesorë politikë në Shqipëri krahas rritjes së retorikës nacionaliste, foli edhe për zgjedhjet parlamentare dhe bashkëpunimin bilateral.

epa03594974 Albanian Prime Minister Sali Berisha (R) welcome German Foreign Minister Guido Westerwelle (L) prior to their meeting in Tirana, Albania, 22 February 2013. Westerwelle on a two-day official visit to Tirana. EPA/MALTON DIBRA
Guido Westerwelle in AlbanienFotografi: picture-alliance/dpa

Ministri i Jashtëm i Republikës Federale të Gjermanisë Guido Westerwelle gjatë bisedimeve (22.02.2013) me homologun Edmond Panariti, me Kryeministrin Sali Berisha, Presidentin Bujar Nishani dhe shefin e opozitës Edi Rama, nënvizoi faktin se Gjermania është në sinkron me partnerët e tjerë përendimorë, duke kujtuar pikat mbështetëse të rendit europian të paqes dhe mirëqënies, të cilat lidhen me demokracinë, sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, dhe mbi të gjitha, sipas Westerwelles, ishte zgjidhja e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe jo nëpërmjet polemikave të ashpra. Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme të 23 qershorit ai tha, se ato duhet të "zhvillohen me sukses, mbi bazën e parimeve europiane dhe është e rëndësishme gjithashtu që të gjitha ndjenjat kombëtare të trajtohen me përgjegjësi".

Me mikëpritësit në Tiranë shefi i diplomacisë gjermane ka prekur dhe problemin e reteorikës nacionaliste. Sipas tij, emocionet dhe ndjenjat nacionaliste duhen trajtuar me shumë kujdes sidmos në kohërat e një fushate elektorale. Në këtë kontekst Westerwelle u solli në vëmendje bashkëbiseduesve në Tiranë rastin e vendit te tij në të kaluarën, ku janë përjetuar disa kapituj të errët. "Arsyeja pse Gjermania sot e kësaj dite është një shtet i fortë, i sukseshëm dhe me mirqënie, ka të bëjë me faktin, se Gjermania ka nxjerrë mësime nga e kaluara dhe një nga mësimet është që bashkëpunimi është gjithmonë më i mirë se sa konfrontimi".

Fotografi: DW/A. Muka

Marrëdhëniet mes dy vendeve të zgjerohen

Shefi i diplomacisë gjermane u shpreh drejtëpërdrejtë se arsyeja e vizitës në Tiranë është zgjerimi i marrëdhënieve mes dy shteteve "por edhe thellimi i këtyre marrëdhënieve". Westrwelle përmendi faktin se vendi i tij mbetet një partner i rëndësishëm tregëtar pasi krahas firmave të ndryshme gjeramne edhe qeveria federale është e agazhuar me një numër të madh projektesh në Shqipëri. "Që prej vitit 1998, Gjermania i ka dhënë mbështetjen Shqipërisë me një vlerë prej një miliardë euro dhe ne këtë e konsiderojmë si një kontribut të vlefshëm për konsolidmin e marrëdhënieve tona."

Homologu i tij shqiptar Edmond Panariti gjeti rastin të vlerësonte mbështetjen shumëplanëshe gjermane duke e përshkruar Gjermaninë si "donatori kryesor në Shqipëri". "Ndihma e qeverisë gjermane është shtrirë në të gjitha fushat, nga arsimi tek infrastruktura ujore, rrugore, energjia elektrike, shëndetësia dhe shumë fusha të tjera. Shprehëm besimin se, e ardhmja e bashkëpunimit shqiptaro-gjerman është premtuese".