Wulff nën trysni edhe më të madhe pas akuzave të reja
22 Dhjetor 2011![Christian Wulff dhe biznesmeni Carsten Maschmeyer](https://static.dw.com/image/15615234_800.webp)
Presidenti gjerman, Christian Wulff, mbetet nën kritikë edhe për arsye të kredisë së tij private dhe të kontakteve të tij të ngushta me sipërmarrës. Pas publikimit të akuzave kreu i shtetit gjerman gjendet nën një trysni edhe më të madhe. Derisa politikanë të koalicionit qeveritar konservator-liberal i dhanë atij demonstrativisht mbështetje, opozita e akuzoi 52-vjeçarin se po e pranon të vërtetën vetëm copëza-copëza.
Sebastian Edathy, anëtar socialdemokrat në landin e Saksonisë së Ulët u shpreh:
"Problemi, që kam me sjelljen e zotit Wulff, është që ai në njëfarë mase lëshon përditë njoftime publike nëpërmjet avokatëve të tij. Kjo është shumë e pakënaqshme. Besoj se aktualisht kemi vështirësinë që zoti Wulff nënvlerëson plotësisht përmasat e çështjes."
Në fjalimin e tij për krishtlindjet Wulff nuk do t'u referohet me asnjë fjalë akuzave. Ai do të flasë për temat e solidaritetit dhe të përbashkësisë në shoqëri, si dhe për Evropën. Këtë thanë pjesëmarrës, që ishin të pranishëm në regjistrimin e fjalimit. Wulff shprehet gjithashtu kundër racizmit dhe bën thirrje për kozmopolitizëm.
Autor: dpa; E Ajazaj
Redaktoi: A Verbica