1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Xhamia e re e Stambollit - projekt i kontestueshëm

Senada Sokollu / Angjelina Verbica23 Gusht 2013

Në Turqi ngrihet xhamia me minaren më të lartë në botë. Kritikët e këtij projekti ndërtimor e shohin atë si një hap drejt një Turqie më të islamizuar.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Kodra më e lartë në lagjen e Stambollit Camlica, në anën aziatike të qytetit, është një pikë e preferuar, nga ku mund të sodisësh metropolin. Kryesisht minaret e xhamive historike nga koha e perandorisë osmane përbëjnë simbolet e qytetit. Por në të ardhmen të gjitha vështrimet mund të drejtohen në kodrën në Camlica. Këtu do të ndërtohet një xhami "gjigande", e cila mund "të shihet nga i gjithë Stambolli", bëri të ditur kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan. Që nga muaji mars punohet për këtë ndërtim të kontestueshëm. Sipas gazetës turke "Today's Zaman" territori ka një madhësi rekord prej 15.000 metër katrorë, një sipërfaqe prej më shumë se 2000 fusha futbolli. Shpenzimet e ndërtimit vlerësohen të arrijnë afro 43 millionë euro. Në xhami do të ketë vend për 30.000 vetë.

"Projekti është shumë ambicioz, përsa i përket madhësisë. Ne do të ndërtojmë një kupolë me të madhe nga ç'e ndërtonin paraardhësit tanë", citon gazeta tuke "Hürriyet" kryearkitektin e xhamisë të emëruar nga Erdogani, Haci Mehmet Güner. "Xhamia do të ketë minaren më të lartë të botës. Ajo do t'ia kalojë madje edhe minares së Medinës, Medina-i Munawara, 105 meter e lartë në Arabinë Saudite."

"Erdogan bën përpjekje të konkurrojë me sulltanët"

Kundërshtarët e megaxhamisë kritikojnë planimetrinë e projektit të xhamisë: "Erdogani ka vendosur fare vetëm për ndërtimin e xhamisë në Camlica. Normalisht duhen përfshirë urbanistë, shoqata arkitektësh dhe universitete, që në fund të dalin frytet më të mira", thotë Oguz Öztuzcu, ish president i shoqatës së pavarur të arkitektëve në Stamboll në intervistë me DW. Juria, që ka zgjedhur projektin më të mirë, përbëhej nga një grup qeveritarësh, të cilët nuk kanë qenë neutralë në konceptimin e projektit, kritikon Öztuzcu: "Të gjitha vendimet ishin marrë paraprakisht. Madhësia, stili i ndërtimit dhe vendi. Ky nuk është një konkurs i vertetë."

Në foto, Oguz ÖztuzcuFotografi: Privat

Përveç kësaj ndërtesa e re do të jetë një kopje e xhamisë Blu, një simbol me famë botërore i Stambollit, thotë Öztuzcu. "Erdogan përpiqet në këtë mënyrë të konkurrojë me sulltanët. Simbolet nuk kopjohen, me këtë degradohet origjinali", paralajmëron Öztuzcu. Me mundësitë e sotme teknike nuk është e vështirë të superosh një arkitekturë 400 vjeçare, thotë arkitekti. "Nuk mund të matesh sot me një gurëgdhendës." Përveç kësaj e veçanta e xhamive historike është se janë ndërtuar në një mënyrë, që sot nuk praktikohet më", shprehet Öztuzcu. "Për fat të keq kjo xhami gjigande ka për të qenë simbol i injorancës dhe jo i dijes dhe urtësisë."

Sipas mendimit të Ergin Külünk, president i shoqatës për Ndërtimin dhe mirëmbajtjen e xhamive, qendrave arsimore dhe kulturore në Stamboll, ndërtimi i xhamisë së re është një domosdoshmëri: "Në anën aziatike mungon një xhami e madhe për besimtarët". Külünk kundërshton fajësimet, se xhamia e re do të jetë një kopje e xhamisë Blu. "Ne donim një xhami klasike me kupolë, dhe nëse e ndërton në këtë mënyrë, është e paevitueshme që ka për t'i ngjarë xhamisë Blu, Hagia Sophia, apo Süleymaniye", citohet Külünk nga gazeta Hürriyet.

Simbol i një Turqie më fetare?

Xhamia Blu në StambollFotografi: MUSTAFA OZER/AFP/Getty Images

Kundërshtarët e xhamisë shohin në projektin kontrovers në rradhë të parë një qëllim politik. Ajo ndërtohet me synimin, "për të simbolizuar erën e AKP" (partia muslimane-konservatore e Erdoganit) mendon Erdogan Bayraktar, ministër i Mjedisit dhe Urbanizmit në një intervistë me gazetën Hürriyet. Arkitekti Öztuzcu flet madje për një hap në drejtim të një Turqie më islamike.

Partia muslimane-konservatore AKP në përgjithësi do të investojë në paraqitjen e islamit në Stamboll, thotë Mesut Yegen, soziolog në universitetin Sehir në Stamboll. "Por unë nuk mendoj se xhamia e re do të jetë një shenjë, që e gjithë Turqia po bëhet më e prapambetur dhe fetare. Arkitektura do të pasqyrojë vetëm personalitetin e Erdoganit dhe ai është autoritar", thotë Yegen për DW. Erdogan do që të lerë pas një monument arkitektonik, që të jetojë edhe pas qeverisjes së tij.