1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Xi Jinpingu dhe Vladimir Putini – së bashku kundër SHBA"

23 Dhjetor 2022

Kina dhe Rusia nisin këtë javë në Detin e Kinës lindore manovat e përbashkëta ushtarake. Kush mendon se lidhja mes Putin e Xi ka marrë të çara, gabon. Synimi i përbashkët mbetet ai që ka qenë, mendon Alexander Görlach.

Vladimir Putin dhe Xi Jinping e shohin bashkëpunimin midis vendeve të tyre si bashkëpunimin më të ngushtë mes gjithë partneriteteve të mundshme
Vladimir Putin dhe Xi Jinping e shohin bashkëpunimin midis vendeve të tyre si bashkëpunimin më të ngushtë mes gjithë partneriteteve të mundshmeFotografi: DW

Kur Kina dhe Rusia zhvillojnë manovra të përbashkëta rreth brigjeve të Tajvanit dhe Japonisë, ndizen të gjitha sirenat e alarmit në vendet demokratike të Azisë Lindore. Moska dhe Pekini janë afruar edhe më shumë pas agresionit rus kundër Ukrainës, pushtetmbajtësit Vladimir Putin dhe Xi Jinping e shohin bashkëpunimin midis vendeve të tyre si bashkëpunimin më të ngushtë mes gjithë partneriteteve të mundshme.

Për këtë nuk mund të dyshosh, megjithëse Xi siguroi kancelarin gjerman gjatë vizitës së tij në Pekin, se Republika Popullore është kundër përdorimit të armëve atomike në Ukrainë. Ky konsensus minimal midis kombeve të civilizuara nuk do të thotë në asnjë mënyrë largim nga Moska, gjë që e dëshmon edhe kjo manovër e përbashkët tani.

Lidhja Koreja e Veriut

Vërtet që Republika Popullore nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht se ndihmon ushtarakisht Rusinë, por teknologjia e armëve ka gjetur rrugën që duke kaluar nëpër Korenë e Veriut, të përfundojë në frontin e Ukrainës së pushtuar. Putini dhe Xi janë të dy mbështetës të regjimit koreano verior të epokës së gurit, të Kim Jong Un-it, (siç janë të lidhur ngushtë me regjimin e mullahëve në Teheran).

Tani në fund të vitit Penjani zhvilloi, sipas gazetës New York Times, 88 prova me raketa, disa prej të cilave përfunduan në detet që i përkasin Japonisë ose Koresë së Jugut, gjë që bëri që ushtritë e të dy vendeve (dhe trupat amerikane që janë dislokuar në dy vendet si aleatë), të vendosen në gjendje gatishmërie. Ekziston unitet në pikëpamjen se Koreja e Veriut është ndërkohë në gjendje të përdorë armë bërthamore. 

Fokusi i Kinës tek Tajvani 

Pekini nga ana e tij, hodhi gjatë bllokadës detare të Tajvanit të lirë dhe demokratik në muajin gusht, raketa që përfunduan në bregdetin tajvanez. Kjo ishte hakmarrja për vizitën e politikanes amerikane Nancy Pelosi në ishullin e Tajvanit. Pekini pretendon se Tajvani i përket Republikës Popullore. Në fakt Partia Komuniste nuk ka sunduar kurrë mbi ishullin, që është sot demokraci në lulëzim. Moska dhe Pekini janë të interesuar të ketë një përshkallëzim të situatës në Paqësorin Perëndimor, manovrat e tyre nuk mendohet që të ulin dallgët e tensionit të rritur muajt e fundit.

Pekini hodhi gjatë bllokadës detare të Tajvanit në muajin gusht, raketa që përfunduan në bregdetin tajvanez. Kjo ishte hakmarrja për vizitën e politikanes nga SHBA Nancy Pelosi në Tajvan. Fotografi: Yomiuri Shimbun via AP Images/picture alliance

Përpjekjet e Pekinit bëhen për t'i kthyer këto ujëra ndërkombëtarë në kombëtarë. Për të arritur këtë qëllim milicët kinezë kanë pushtuar tashmë ishujt që i përkasin Filipineve. Përveç kësaj, Republika Popullore ka krijuar ishuj artificialë të cilët i ka militarizuar. Synimi përfundimtar është të dëbojë nga Paqësori Shtetet e Bashkuara, që janë partnere me Filipinet, Tajvanin, Japoninë dhe Korenë e Jugut, në mënyrë që të mund të dominojë ushtarakisht dhe ekonomikisht vendet e rajonit duke u kthyer në hegjemoni të re.

Që Pekini kërkon t'i arrijë të dyja është bërë e qartë në të kaluarën: Sipas një artikulli të revistës Foreign Affairs, që prej vitit 2010, Pekini është përpjekur në 123 raste, që nëpërmjet presionit ekonomik të zbatojë politikisht ideologjinë e vet. 

Pa barazi

Rusia është në të njëjtën linjë si Kina, sepse armiku i përbashkët për të dy pushtetmbajtësit Putin dhe Xi janë Shtetet e Bashkuara. Megjithatë fijet këtu i tërheq Kina. Në muajin shtator, Vladimir Putinit iu desh që në kuadër të takimit të Organizatës së Kooperimit të Shangait, t'i raportonte "paramount leader-it" kinez duke dhënë përgjigje për "pyetjet dhe shqetësimet” në lidhje me luftën e Ukrainës. 

Ka mundësi që Kremlini ta shohë veten si partner të barabartë me Pekinin. Por në të vërtetë, Republika Popullore është sot një lojtar shumë më i fuqishëm se sa Rusia e Putinit.

Mjaftojnë shifrat e zhvillimeve të suksesshme ekonomike, për të treguar sa e lidhur është Republika Popullore me ekonominë botërore, sa që nuk mund të injorohet vërtet as si vend prodhimi as si treg shitjeje nga asnjë vend tjetër i botës.

Aeroplanmbajtësja e Ushtrisë së Kinës Liaoning. Manovrat që zhvillohen tani midis Rusisë dhe Kinës mund të shihen në kuadër të modernizimit të ushtrisë kineze, që pritet të mbyllet në vitin 2027, vitin e përvjetorit të njëqindtë të “Ushtrisë çlirimtare të popullit”Fotografi: ANTHONY WALLACE/AFP

Ku ndihmon Rusia

Manovrat që zhvillohen tani midis Rusisë dhe Kinës mund të shihen në kuadër të modernizimit të ushtrisë kineze, që pritet të mbyllet në vitin 2027, vitin e përvjetorit të njëqindtë të "Ushtrisë çlirimtare të popullit”. Ushtria ruse e ndihmon për këtë gjë partnerin kinez. Moska trajnon Pekinin sidomos në çështjet e pushtimit të tokës, luftës urbane dhe luftës guerilase.

Xi Jinping ka bërë të ditur se mund të ndodhë që të dojë të sulmojë dhe pushtojë Tajvanin e lirë. Për këtë gjë atij i duhen pikërisht këto aftësi. Megjithatë në ushtrimin e luftës në Ukrainë ushtrisë ruse, për fat të mirë, i mungonin pikërisht këto gjëra. Mbase kjo ka qenë pse Putini u thirr nga Xi për të dhënë raport, dhe jo se Xi ishte i shqetësuar për paqen botërore.

Trazimi i botës së lirë

Sidoqoftë bota nuk mund të presë asgjë të mirë nga thellimi i bashkëpunimit midis Kinës dhe Rusisë, në një kohë kur klima në Paqësorin Perëndimor është e trazuar. Manovrat do të zhvillohen gjatë ditëve të Krishtlindjeve dhe do të përfundojnë më 27 dhjetor. Edhe në Ukrainë Putini nuk mendon t'i lerë armët të heshin gjatë Krishtlindjeve. Synimi i Xi-së dhe Putinit është të trazojë botën e lirë. Për lirinë dhe demokracinë nuk ka pushim as gjatë Krishtlindjeve sivjet.

 

 

Alexander Görlach është bashkëpunëtor në Këshillin Carnegie për etikë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bashkëpunëtor kërkimor në Institutin Internet të Universitetit të Oksfordit. Mbas qëndrimeve në Tajvan dhe Hongkong, këto dy rajone u kthyen për të në tema të rëndësisë së veçantë, së bashku me çështjen e ngritjes së Kinës dhe rëndësisë që ka kjo për botën e lirë. Ai ka pasur poste të ndryshme në Universitetin Harvard dhe në Universitetin e Kembrixhit.