1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zërat gjermanë mbi aktualitetin në Kosovë

29 Gusht 2006

Gjendja aktuale në Kosovë pas sulmit të së shtunës në pjesën veriore të Mitrovicës, reagimet e Beogradit zyrtar ndaj deklaratës së Marti Ahtisarit për 'fajin e serbëve si popull' dhe procesi i negociatave shqiptaro-serbe në Vjenë janë temat për të cilat flasin zëdhënësi i Ministrisë së jashtme gjermane Martin Jäger, eksperti i Institutit për shkencat politike në Berlin, Franc Lotar Altmann si dhe politikani liberal, deputeti i Bundestagut gjerman Rainer Stinner.

Angela Merkel në Kosovë, 15 korrik 2005
Angela Merkel në Kosovë, 15 korrik 2005Fotografi: AP

Situata në Kosovë është e qetë por jo stabile, kështu ka deklaruar dje në konferencën e zakonshme të shtypit, zëdhënësi i ministrisë gjermane të mbrojtjes Thomas Raabe. Në Kosovë aktualisht janë 15.500 ushtarë të stacionuar dhe është e vështirë që të përjashtosh çdo lloj sulmi të mundshëm, tha Raabe.

Ndërkaq zëdhënësi tjetër i Ministrisë së Jashtme Martin Jaeger, tha se megjithëse askush nuk ka vdekur sulmi i kryer në Mitrovicë nuk duhet të nënvleftësohet: "Ai ndriçon dukshëm situatën serioze në Kosovë, por sulmi nuk duhet të bëhet kurrsesi shkas për të vënë në diskutim vazhdimin e bisedimeve, që mundësisht brenda këtij viti do të japin një zgjidhje për statusin e ardhshëm të Kosovës."

Lidhur me sulmin në Mitrovicë së fundi është shprehur edhe Franc Lotar Altman, ekspert i Institutit për shkencat politike në Berlin. Në një bisedë me kryeredaktorin e programit shqip të Deutsche Welles, Fabian Schmidt, edhe ai shfaq bindjen se incidenti i fundit në Mitrovicë nuk mund të rrezikoj procesin e negociatave shqiptaro-serbe: "Të paktën nga pala serbe ka argumente sipas të cilave në Kosovë nuk është garantuar ende siguria, qyetarët tanë duhet çdo ditë të kenë frikë nga sulmet e tilla. Kosova kështu sipas tyre në asnjë mënyrë ende nuk ka arritur në pikën ku mund t'i besohet pavarësia", thotë Altman i cili nuk beson që serbët do të tërhiqen nga procesi negociator.

"Nuk mendoj se ata do të tërhiqen pasi që është në interesin e tyre që ata të marrin pjesë në negociatat për çështjet teknike. Pjesa e dytë - çështja e statusit është futur në një qorrsokak ashtu siç pritej. Megjithatë mendoj se një incident i tillë nuk mund të pengojë procesin afatgjatë të negociatave. Eshtë e mundur që serbët të kërkojnë shtyerjen e raundit të ri të bisedimeve por jo ti ndërpresin ato", tha Altman.

Nga një shtatori tre institucionet kryesore në Kosovë, UNMIK-u, KFOR-i dhe OSBE-ja do të drejtohen nga gjermanët. I pyetur se a është kjo diçka e rastësishme apo Gjermania fillon kështu një angazhim afatgjatë atje, Altman u përgjigj: "Gjermania është ndoshta në krahasim me vendet e tjera më shumë e angazhuar, po ashtu ka më tepër përvojë në rajon por nga ana tjetër historikisht ka disa probleme me këtë rajon dhe nuk do të duhet që të zgjeronte shumë angazhimin e saj. Mendoj se Bashkimi Evropian duhet të mbetet aktori kryesor, ky është synimi i vendeve në rajon dhe i vet Kosovës dhe kjo nuk mund të zëvendësohet nga Gjermania. Faktin që tre institucione kryesore në Kosovë nga 1 shtatori do të drejtohen nga gjermanët do ta shihja më tepër si rastësi".

Ndërkaq i pyetur se a pret që KS i OKB-së të marrë një vendim në rast se palët në bisedimet e Vjenës nuk do të gjejnë një dalje nga qorrsokaku në të cilin janë futur, Altman theksoi:

"Eshtë një pikëpyetje e madhe se si do të sillen Rusia dhe Kina në KS të OKB-së. Rusia ka marrë kohëve të fundit një qëndrim shumë kontradiktor. Pritet që nëse kushtet për një pavarësi të kushtëzuar do të jenë në njëfarë mase të arsyeshme atëherë edhe Rusia do të mund të pajtohej. Mendoj se është duke u punuar që Rusia dhe Kina paraprakisht të binden se nuk ka alternativë tjetër për këtë pavarësi të kushtëzuar dhe në të vërtetë më së largu deri në pranverën e vitit 2007 të vij deri tek marrja e një vendimi. Nëse jo atëherë shtrohet pyetja si më tej?"

Megjithatë eksperti i Institutit për shkencat politike në Berlin, Franc Lotar Altmann nuk përjashton mundësinë që Rusia të ndryshoj qëndrimin e saj dhe në këtë mënyrë të mbështeste edhe pavarësimin e Transnistrisë.

"Moska për një kohë të gjatë ka refuzuara pavësrinë e Kosovës me argumentin se ajo mund të shkaktonte raste të tjera presedence ku do të kërkohej shkëputja. Tani papritmas atje mund të thuhet aha ky mund të jetë po ashtu një rast precedent në kuptimin tonë pozitiv. Kështu ne mund të mbështesim pastaj Transistrinë në përpjekjet e saj për pavarësi e cila do të arrihej përmes një referendumi apo një mënyre tjetër", tha Altman.

Zëshëm për një pavarësi të kushtëzuar për Kosovën flet edhe politikani liberal, deputet në Bundestagun gjerman, Rainer Stinner. Në një bisedë me Filip Slavkoviqin nga programi serb i Deutsche Welles, ai thekson se megjithë faktin që realiteti është i hidhur për të dyja palët në bisedime, bashkësia ndërkombëtare duhet të gjej një kompromis: "Personalisht besoj që zgjidhja duhet të jetë një formë e pavarësisë së kushtëzuar. Nuk mund ta paramendoj Kosovën tërsisht të pavarur pasi që Kosova nuk është Suedi, Austri apo Kanada. Atje ndodhen 17 mijë ushtarë. Duhet të gjejmë një kompromis. Serbëve duhet tu themi se statusi i Kosovës në Serbi nuk është i mundur edhe pse kjo është një dëshirë e shumë serbëve. Kosovarëve duhet tu themi se një pavarësi e plotë e pakushtëzuar nuk është e mundur tani për tani. Kjo është një e vërtetë e hidhur për të dyja palët dhe marrë parasysh këtë fakt dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë një vendim më mirë është ta marrë sa më herët në mënyrë që në rajon të shkohet një hap më tej".

Beogradi zyrtar jo rrallë është akuzuar se është duke penguar pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës në procesin politik. Kështu së fundi është shprehur edhe kryeadministratori i ri i Kosovës, Joahim Ryker me të cilin pajtohet edhe politikani liberal gjerman Stinner:

"Pajtohem me kryeadministratorin e ri të Kosovës Joahim Ryker për atë se qeveria e Beogradit është duke penguar zhvillimin politik të serbëve në Kosovë. Mendoj se është shumë me rëndësi që serbët e Kosovës të kyçen në procesin politik. Abstenimi në procesin politik mund të dëmtoj jo vetëm serbët por edhe tërë procesin politik në Kosovë", thotë Stinner.

Deklarata e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari se "serbët janë fajtor si popull" ditëve të fundit ka shkaktuar reagime të ashpëra në Beograd. Sot edhe ekipi Negociator serb në një takim të tij ka dënuar deklaratat e Ahtisarit dhe ka vlerësuar se ato janë në kundërshtim me mandatin e tij që ka marrë nga sekretari i Përgjthshëm i OKB-së Kofi Anan. Sipas Ekipit Negociator serb, deklaratat e Ahtisarit "seriozisht vënë në dyshim pozitën e tij si i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të KB për statusin e ardhshëm të Kosovës".

Nga ana tjetër zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, deklaroi se kryenegociatori për statusin Marti Ahtisari nuk i ka tejkaluar kompetencat e mandatit të tij. Zëdhënësi ka njoftuar se Kofi Anan e konsideron Ahtisarin negociator të paanshëm, duke shfaqur shpresën se në të ardhmen të dyja palët do ta shohin si të tillë.

Sa i përket deklaratës së Ahtisarit në Prishtinë për rolin e Beogradit, dje qëndrimin e ministrisë së jashtme gjermane e shprehu edhe zëdhënësi Martin Jaeger. Ai kërkoi nga Beogradi që ta kuptojë se situata siç është sot në Ballkanin perëndimor dhe në Kosovë, ka të bëjë me përgjegjësitë politike dhe vendimet politike të marra në fillim dhe gjatë viteve 90-të, nga ana e Beogradit.

"Megjithëse ne nuk fajësojmë për këtë qeverinë aktuale serbe, përsëri kërkojmë me ngulm që Beogradi të jetë i vetëdijshëm për këtë situatë".

Lidhur me këtë çështje në bisedë me Deutsche Wellen është shprehur edhe politikani liberal Rainer Stinner. Sipas tij: "Ajo se si është shprehur Ahtisari mund të diskutohet por esenca e asaj çfarë e ka thënë, se secili popull është përgjegjës për historinë - ne gjermanët kemi përvojë dhe kemi kaluar nëpër atë proces të gjatë e të dhimbshëm dhe se procesi i ballafaqimit me të kaluarën në Serbi nuk është zhvilluar sa duhet, kjo është e padiskutueshme. Për këtë Ahtisari ka të drejtë. Se çfarë pasojash ka kjo për të ardhmen është një çështje tjetër. Serbia duhet ta filloj atë proces dhe ne mund ta ndihmojmë atë në këtë drejtim, në mënyrë që vendi të zë vendin që i takon në mes të popujve dhe shteteve në rajon por Serbia duhet të ballafqohet me atë proces në shoqërinë e saj, kjo është e panshmangshme".

Stinner mendon se edhe pse një kërkesë e tillë duhet t'i drejtohet edhe palës kosovare, këto dy procese nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. "Natyrisht që është e drejtë se kërkesat e tilla duhet t`i drejtohen edhe palës shqiptare, udhëheqjes shqiptare por kjo është diçka tërësisht e pavarur nga procesi në Serbi. Edhe pala shqiptare po ashtu duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj por këto dy procese nuk kanë lidhje me njëra-tjetërn. Të dyja palët duhet të ballafaqohen me historinë e tyre dhe të nxjerrin mësime nga ajo në mënyrë që në të ardhmen të zhvillojnë diçka pozitive për të dyja palët dhe tërë rajonin", tha Rainer Stinner.






Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW