1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zbatohet marrëveshja Kosovë-Serbi për letërnjoftimet

1 Shtator 2022

Serbia ndërpreu lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës si zëvendësim për letërnjoftimin, por thekson, se marrëveshja për lëvizje të lirë nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.

Kosovo | Grenze Serbien
Fotografi: Ministry of the Interior of the Government of Kosovo

Filloi së zbatuari marrëveshja për dokumentet e identifikimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e dakorduar ditë më parë me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së. Në këtë mënyrë Serbia ndërpreu lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës, si zëvendësim për letërnjoftimin që tash e 11 vjet e praktikon për kosovarët. Këtë e konfirmoi Ministri i Punëve të Brendshme  në qeverinë e Kosovës Xhelal Svecla, i cili shkroi në Facebook se në pikë kalimet kufitare me Serbinë, është ndërprerë lëshimi i dokumentit për hyrje/dalje.

"Në pikë kalimet kufitare në Merdar, Bërnjak, Dheu i Bardhë dhe në Muçibabë është ndërprerë lëshimi i dokumentit për hyrje/dalje nga ana e autoriteteve të Serbisë. Edhe një sukses në shtrimin e sundimit të ligjit dhe Kushtetutshmërisë në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe mbrojtjen e interesave të shtetasve tanë karshi Serbisë”, shkruan ministri i Punëve të Brendshme, Svecla.

Mundësimi i kalimit të kufirit për arsye krejtësisht praktike

Autoritetet e Serbisë, një ditë para se të fillonte së zbatuari marrëveshja për hyrje/dalje vendosën disa njoftime në vendkalimet me Kosovën, ku shkruhej se "mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet për arsye krejtësisht praktike, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, bazuar në marrëveshjen për lëvizje të lirë dhe kjo nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës”.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svecla ndjek zbatimin e marrëveshjes me Serbinë për dokumentet e udhëtimitFotografi: Ministry of the Interior of the Government of Kosovo

Kurse autoritetet kufitare të Kosovës po zbatojnë reciprocitetin me Serbinë për targat e automjeteve të Serbisë, duke u mbuluar atyre inicialet shtetërore me letra ngjitëse. Të njëjtën gjë për Kosovën e bën edhe Serbia. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha ditë më parë se Serbia ka propozuar që "targat me inicialet KS, të përdoren nga serbët në Kosovë”, por, qeveria e Kosovës ka thënë se nuk mund të pranojë targa që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës. Serbët e Kosovës brenda dy muajve kanë afat që makinat e tyre t'i regjistrojnë me tabela të Republikës së Kosovës, RKS. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla,  tha se shpreson që edhe "çështja e kalimit nga targat ilegale të Serbisë në targa të Kosovës” të kalojë pa probleme, sikurse ajo e dokumenteve.

Policia e Kosovës në pikën kufitare në BrnjakFotografi: Ministry of the Interior of the Government of Kosovo

Kurti: Reciprocitet i plotë gradual me Serbinë

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova është e interesuar që të arrihet marrëveshje me Serbinë, e cila do të kishte në qendër njohjen reciproke. Serbia e kundërshton këtë. Por, derisa nuk arrihet kjo marrëveshje, e cila sipas kryeministrit Kurti do të ishte ndërkombëtare, ligjërisht e obligueshme, Kosova do të ketë reciprocitet të plotë me Serbinë, i cili siç tha, "do të vendoset gradualisht”.

"Reciprociteti në marrëdhënie diktohet nga sovraniteti ynë. Ne nuk mund të mos e ushtrojmë sovranitetin, të cilin e kemi shpallur, ashtu siç nuk mund të sillemi neutral ndaj vetes apo të marrim vendime, të cilat krijojnë dualizëm në sistemin tonë ligjor”, deklaroi Kurti një ditë më parë. Sipas tij, vendimet e fundit, sa i përket targave të makinave dhe dokumenteve të identifikimit të Serbisë, kanë qenë në kuadër të ushtrimit të sovranitetit të Kosovës.