Zelenski bisedon me presidentin kinez Xi Jinping
28 Prill 2023Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski e quajti bisedën e tij telefonike me udhëheqësin kinez Xi Jinpingsi një "bisedë të gjatë dhe mjaft të arsyeshme". Dy politikanët folën me njëri-tjetrin rreth gati një orë. Kjo ishte hera e parë që Zelenski dhe Xi Jinping bisedonin në telefon që nga fillimi i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. "Tani ka një mundësi për t'u dhënë një shtysë të re marrëdhënieve kinezo-ukrainase," tha Zelenski në një video-mesazh. "Ka një mundësi për ta përdorur ndikimin politik të Kinës për të forcuar parimet dhe rregullat mbi të cilat duhet të bazohet paqja."
Ashtu si Ukraina dhe shumica e komunitetit botëror edhe Kina është e interesuar për pushtetin e kombeve sovrane, integritetin e tyre territorial dhe shmangien e katastrofave bërthamore, shtoi Zelenski. "Ne ramë dakord të vazhdojmë komunikimin tonë."
Deri më sot Kina nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës. Megjithatë gjatë bisedës telefonike Xi njoftoi se do të dërgonte një emisar kinez në Ukrainë për të arritur një "zgjidhje politike" në konflikt.
Pas bisedës telefonike mes Xi dhe Zelenskit Kremlini tha se i mirëpret të gjitha nismat që mund të çojnë në përfundimin e konfliktit në Ukrainë. Në të njëjtën kohë Zyra e Presidentit në Moskë theksoi se vazhdon t'u qëndrojë planeve të veta. Rusia duhet të arrijë qëllimet e të ashtuquajturit "operacion special ushtarak".
BE dhe Gjermania e përshëndesin komunikimin
Komisioni i BE-së në Bruksel i përshëndeti bisedimet e para të drejtpërdrejta mes kreut të shtetit kinez dhe presidentit ukrainas. "Është një hap i rëndësishëm, dhe i nevojshëm prej kohësh nga Kina në përmbushjen e përgjegjësisë së saj si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha një zëdhënës. Udhëheqja e Kinës duhet "të përdorë ndikimin e saj për ta bërë Rusinë t'i japë fund luftës agresore".
Qeveria gjermane e vlerësoi bisedën telefonike si një sinjal të mirë. Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së Kina ka një "përgjegjësi të veçantë për t'i dhënë fund luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës", tha një zëdhënës i qeverisë gjermane në Berlin.