Zelenski: Ftesa për në NATO me rëndësi jetikë për Ukrainën
2 Dhjetor 2024Në fundjavë Ukraina priti vizita të nivelit të lartë. Kreu i ri i Këshillit të BE, ish-kreu i qeverisë portugeze, Antonio Costa dhe drejtuesja e politikës së jashtme në BE, Kaja Kallas ishin për vizitë në Kijyv. Afate premtuese për integrimin e Ukrainës në BE. Kështu Presidenti i ri i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, u shpreh, se negociatat e anëtarësimit me BE mund të fillojnë në të paktën dy fusha në gjysmën e parë të vitit 2025.
BE të sigurojë një armëpushim të mundshëm?
Kurse drejtuesja e re e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, rihapi diskutimin për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Kallas beson se është e mundur që në një moment ushtarët nga vendet anëtare të sigurojnë një armëpushim të mundshëm në Ukrainë. "Unë mendoj se ne me të vërtetë nuk duhet të përjashtojmë asgjë," tha ish-kryeministrja estoneze në margjinat e bisedimeve me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski dhe ministrat në Kijyv. Kjo është gjithashtu me rëndësi për arsye strategjike.
Çështja se si mund të sigurohet një armëpushim i mundshëm në Ukrainë po merr hov aktualisht kryesisht në kontekstin e ndryshimit të afërt të pushtetit në SHBA. Në BE nuk përjashtohet mundësia që Donald Trump, si president, të përpiqet të bëjë presion ndaj Ukrainës dhe Rusisë për negociata dhe armëpushim.
Presidenti ukrainas ka komentuar sërish dëshirën e Ukrainës për t'u anëtarësuar në NATO: "Një ftesë për t'u anëtarësuar në NATO është thelbësore për mbijetesën e Ukrainës". Zelenski ka dalë edhe me një propozim: vendosjen e territoreve të papushtuara të vendit të tij nën mbrojtjen e NATO-s. Sipas tij, vetëm atëherë një armëpushim me Rusinë do të ishte i imagjinueshëm, shkruan "tagesschau".
Në rast të një armëpushimi, Ukraina do të kishte nevojë për garanci "që Putini nuk do të kthehet me sulme", tha Zelenski në një intervistë për televizionin britanik, Sky News. "Nëse duam t'i japim fund fazës së nxehtë të luftës, ne duhet të mbrojmë territorin mbi të cilin kemi kontroll," tha Zelenski. "Duhet ta bëjmë këtë shpejt. Dhe pastaj Ukraina mund të rifitojë territoret e tjera përmes kanaleve diplomatike."
Ftesë për anëtarësim në NATO
Sipas Zelenskit një ftesë për NATO-n duhet ende t'i jepet të gjithë Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Zelenski ka shtuar, se vendi i tij nuk ka të drejtë të njohë territoret e pushtuara ruse. Kërkesa për një ftesë të menjëhershme në NATO është pjesë e të ashtuquajturit "plani i fitores", të cilin Zelensky e prezantoi në Uashington, Berlin dhe kryeqytete të tjera në vjeshtë. Megjithatë, shtetet e rëndësishme të NATO-s - SHBA dhe Gjermania - janë kundër vendosjes së një anëtarësimi të shpejtë për Ukrainën në aleancën transatlantike. Edhe planet që deri tani janë bërë të njohura nga administrata e ardhshme amerikane e Donald Trump nuk parashikojnë anëtarësimin e Kievit.
Kërkesa për një ftesë të menjëhershme në NATO është pjesë e të ashtuquajturit plani i fitores, të cilin Zelensky e prezantoi në Uashington, Berlin dhe kryeqytete të tjera në vjeshtë. Megjithatë, shtetet e rëndësishme të NATO-s - SHBA dhe Gjermania - janë kundër vendosjes së një rruge të shpejtë për Ukrainën në aleancën perëndimore. Planet që deri tani janë bërë të njohura nga administrata e ardhshme amerikane e Donald Trump nuk parashikojnë anëtarësimin e Kievit.
Situata e luftës e tensionuar
Ndërkohë situata në frontin e luftës mbetet e tensionuar. A mund të ndryshojë situata me ndryshimin e personalit ushtarak? Pikërisht këtë urdhëroi Zelenski, ndryshime të personelit në komandën e ushtrisë. Në një fjalim me video, Zelenski njoftoi shkarkimin e shefit të ushtrisë Olexander Pavlyuk.
Pasardhësi i tij do të jetë gjeneralmajori Mykhailo Drapaty, i cili me sukses ndaloi ofensivën ruse në rajonin lindor të Kharkiv, tha Zelensky. "Duhen ndryshime - ndryshime në menaxhimin e personelit që do të prodhojnë rezultate më të mëdha në fushën e betejës."
la/ag