1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zelenski takohet me Dudan në Varshavë

5 Prill 2023

Gjatë vizitës së tij në Varshavë, presidenti ukrainas Zelenski konfirmoi partneritetin me Poloninë.

Polen, Warschau | Staatsbesuch von Wolodymyr Selenskyj mit Präsident Andrzej Duda
Fotografi: Czarek Sokolowski/AP/picture alliance

I shoqëruar nga gruaja e tij Olena Zelenska, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski mbërriti në Poloni për vizitën e tij të parë zyrtare. Ata u mirëpritën në Varshavë nga presidenti polak Andrzej Duda dhe gruaja e tij Agata Kornhauser-Duda. Zelenski më pas tha se shpresonte se kufijtë midis Polonisë dhe Ukrainës do të hapeshin.

Në ditët e para të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, vendbanimet polake pranë kufirit "hapën dyert e tyre dhe nuk kishte kufij mes nesh", tha Zelenski gjatë një takimi me Dudën. Sipas tij, ky është fillimi i mungesës së kufijve mes vendeve fqinje në të ardhmen.

Duda i dha Zelenskit dekoratën më të lartë të Polonisë, Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë. Ai e merr këtë urdhër për meritat e tij në thellimin e marrëdhënieve polake-ukrainase, përkushtimin e tij për sigurinë si dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, tha Duda në homazhin e tij.

Fotografi: Wojtek Radwanski/AFP/Getty Images

Sipas Dudës, Polonia dëshiron t'i sigurojë Ukrainës gjithsej 14 avionë luftarakë MiG-29. Tetë prej këtyre avionëve tashmë i janë dorëzuar Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe gjashtë MiG-29 të tjerë janë duke u përgatitur për dorëzim. Zelenski ndërkohë ftoi kompanitë polake të punojnë në Ukrainë edhe para përfundimit të luftës, në mënyrë që të përmirësojnë pozicionin e tyre në treg. Në këtë kontekst, presidenti ukrainas e quajti Poloninë një partnere kyç për rindërtimin e vendit.

Programi i Zelenskit përfshin edhe një takim me kreun e qeverisë polake, Mateusz Morawiecki. Ne do të flasim për mbrojtjen, ekonominë, transportin ndërkufitar, duke përfshirë lidhjet hekurudhore dhe zgjerimin e mundësive të kalimit kufitar”, tha zëdhënësi i Zelenskit.

Në mbrëmje, Zelenski dhe Duda do të takojnë në Kështjellën Mbretërore në Varshavë njerëz nga Ukraina që kanë gjetur strehim në Poloni për të ikur nga lufta. Të dy do të mbajnë fjalime atje. Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Polonia ka pranuar rreth 1.6 milionë refugjatë lufte nga Ukraina fqinje.

Fotografi: Czarek Sokolowski/AP/dpa/picture alliance

Ky është udhëtimi i tretë i Zelenskit jashtë vendit që nga fillimi i luftës ruse të agresionit kundër Ukrainës. Në dhjetor, ai shkoi në Uashington. Në fillim të shkurtit, Zelenski zhvilloi fillimisht bisedime në Londër dhe Paris përpara se të shkonte në Bruksel për një samit të posaçëm të BE.

NATO dëshiron të ndihmojë Ukrainën në plan afatgjatë

NATO po zhvillon një program të ri mbështetës për Ukrainën, të sulmuar nga Rusia. Nisma e planifikuar shumëvjeçare duhet të ndihmojë në sigurimin e parandalimit dhe mbrojtjes, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë shtypi pas konsultimeve në një takim të ministrave të jashtëm në Bruksel.

Sipas informacioneve të Agjencisë Gjermane të Shtypit nga qarqet e Aleancës, flitet për krijimin e programit të mbështetjes për dhjetë vjet dhe për ta mbështetur atë me rreth 500 milionë euro në vit. Sipas diplomatëve, paratë mund të përdoren gjithashtu për të mbështetur stërvitjet shtesë, programet e digjitalizimit dhe reformat institucionale.

Lidhur me situatën aktuale në Ukrainë, Stoltenbergu tha se Rusia nuk ka ndryshuar kurs. Putini padyshim mendon se mund të presë sa të përfundojë mbështetja perëndimore për Ukrainën. Takimi në Bruksel, megjithatë, nënvizoi edhe një herë angazhimin e vazhdueshëm të Aleancës ndaj vendit. "NATO do të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha norvegjezi, duke ftuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski në samitin e ardhshëm të aleancës ushtarake në korrik në Vilnius.

aud (dw)