260411 Volkszählung Deutschland 2011
3 Maj 2011Gjermania është ribashkuar para 20 vitesh. Por sa njerëz jetojnë në Lindje e sa në Perëndim të vendit, çfarë shkollash kanë kryer dhe sa të mëdha janë banesat e tyre? Përgjigjet në këto pyetje nuk i di gati askush, sepse regjistrimi i fundit është bërë në Gjermaninë Lindore në vitin 1981, ndërsa në Gjermaninë Perëndimore me 1987. Qindra mijëra banorë të Gjermanisë Perëndimore e kanë bojkotuar në atë kohë regjistrimin, nga frika e keqpërdorimit të të dhënave. Kritikët e regjistrimit janë mbështetur edhe nga disa parti politike. Politikani ekologjist Christian Ströbele, në maj të vitit 1987 deklaronte: "Me ligjin më të ri qytetarët kurrsesi nuk janë të sigurtë që të dhënat e tyre do të mbeten sekrete."
Para regjistrimit të vitit 1987, ka pasur një grindje disavjeçare
Qindra iniciativa qytetarësh u themeluan në vitin 1983 kur është dashur të fillojë regjistrimi. Gjykata Kushtetuese e ka njohur në të njëjtin vit të drejtën elementare për vetvendosje në lidhje me informatat personale. Refuzimi në shkallë të gjërë i regjistrimit me siguri që ka të bëjë me gjendjen e krijuar në atë kohë, por ka të bëjë edhe me traumat historike: nazistët e kanë kryer me aq sukses fushatën sistematike kundër hebrenjëve, vetëm duke i falënderuar të dhënave të sakta të regjistrimit të viteve 30-të.
Frika nga regjistrimi është sot më e vogël - në veçanti tek rinia. Sipas një sondazhi të fundit, 3/4 e të rinjve të moshës 18 deri 29 vjeç e mbështesin regjistrimin, i cili duhet të fillojë me 9 maj. Prej kësaj dite do të fillojë mbledhja e të dhënave strukturore, shpjegon kryetari i Zyrës Federale të Statistikave, Roderich Egeler. "Të dhënat për cenzusin janë bazë për vendimet politike dhe ekonomike në federatë, lande dhe komuna. Le të shikojmë rëndësinë e të dhënave të banorëve për shpërndarjen e mjeteve financiare të landeve dhe komunave. Ndërkohë që ndarja e rretheve të votimeve është një shembull tjetër i rëndësisë së cenzusit."
Numërimi nuk do i përfshjijë të gjithë
Por jo të gjithë 82 milionë gjermanët kanë të bëjnë me cenzusin. 80.000 intervistues do të anketojnë rreth 8 milionë banorë të zgjedhur rastësisht lidhur me moshën, gjininë dhe vendbanimin e tyre. Pjesëmarrja nuk është edhe krejt vullnetare. Ata që refuzojnë duhet të presin denime. Të dhënat për miliona të tjerë banorësh do të merren nga regjistrat civilë të komunave dhe nga Agjencia e Punës. Një formular i posaçëm duhet të plotësohet edhe për të ashtuquajturat fusha të veçanta.
Annette Pfeiffer nga Zyra Federale e Statistikave shpjegon se për çfarë është fjala. "Fushat e veçanta kanë të bëjnë me vendbanimet e përbashkëta, konviktet e studentëve, shtëpitë e të moshuarve si dhe burgjet dhe repartet e psikiatrisë. Ne e dimë që këto të dhëna nuk janë tepër të sigurta, por mund të përdoren si bazë për të vlerësuar numrin e banorëve."
Grupi i tretë ka të bëjë me pronarët e shtëpive dhe banesave. Edhe ata duhet të plotësojnë një formular, sepse aktualisht ka pak të dhëna për gjendjen e vendbanimit në Gjermani. Këto të dhëna janë të rëndësishme për të ditur se cilat janë nevojat e furnizimit me ujë apo me kopshte për fëmijë në një qytet. Regjistrimi është përgatitur në dhjetë vitet e fundit, ndërsa në prill ka nisur një fushatë në media për shpjegimin e procesit.
Kritikat kësaj radhe nuk janë të tepërta
Një ankesë në Gjykatën Kushtetuese nuk është pranuar, shpjegon përfaqësuesi i saj Michael Ebeling. "Të dhënat nuk do të jenë anonime për katër vite me radhë, kështu thuhet me ligj. Në rastet e veçanta kjo zgjatë madje deri në gjashtë vite. Mendoj se është tepër e rrezikshme, sikur të dhënat të jenë publike vetëm për disa ditë."
Gjermanët megjithatë duhet të mësohen me regjistrimet. Sipas ligjeve të BE-së regjistrimet duhet të bëhen çdo 10 vjet, që është një standard edhe në Kombet e Bashkuara. Roderich Egeler e mbështetë një rregull të tillë. "Pas cenzusit është tani para cenzusit. Ne do të gjendemi në ritmin e duhur vetëm kur të shikojmë zhvillimet demografike në vendin tonë, që është shumë e rëndësishme për të ditur se në ç'drejtim po shkojmë."
Rezultatet e regjistrimit nuk do të dihen para fundit të vitit 2012. Llogaritet që ky proces deri atëherë do të kushtojë 710 milionë euro.