1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

30 ditë gjendje e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut

16 Prill 2020

Maqedonia e Veriut e zgjati edhe me një muaj gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të virusit Corona. Disa politikanë të lartë maqedonas ndodhen në vetizolim për shkak të kontakteve me personat e testuar pozitivisht.

Nord-Mazedonien Skopje Coronavirus
Atmosfera në Shkup pas masave të izolimitFotografi: DW/P. Stojanovski

Për gjendjen e krijuar nga virusi është diskutuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, nën drejtimin e presidentit të vendit, Stevo Pendarovski. Aty u mor edhe vendimi për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut edhe për 30 ditë apo deri më 17 maj. "Në bazë të vlerësimeve të bëra vërehet qartë se është e nevojshme të vazhdohet gjendja jashtëzakonshme. Ky vendim do të vlejë për 30 ditët e ardhshme”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.

Lidhur me gjendjen në Kumanovë, presidenti Stevo Pendarovski ka thënë, se qëndrimi i tij është që edhe ky qytet të futet në karantinë shtetërore, sikur edhe qyteti i Dibrës që me sukses ka përballuar gjendjen me pandeminë. Presidenti ka kërkuar që pas festave të Pashkëve, qeveria të mendojë për lehtësimin e masave të lëvizjes së qytetarëve, por edhe të vënies në funksion të kapaciteteve ekonomike.

Kryeministri dhe tre ministra në vetëizolim shtëpiak

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Oliver Spasovski, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe i Arsimit, Arbër Ademi i janë nënshtruar vetizolimit shtëpiak, pas kontaktit që kanë pasur me kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski që ka rezultuar pozitiv me virusin Corona. "Për momentin, në Qendrën lokale për Shëndetin Publik në Kumanovë po bëhen vlerësimet epidemiologjike dhe kontaktet e kryetarit Dimitrievski. Gjatë ditës, do të përcaktohet se sa dhe cilët persona do të duhet të qëndrojnë në izolim 14-ditor. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ishte e përgatitur për të gjitha skenarët, përfshirë një situatë të tillë.

Teste për virusin Corona në ShkupFotografi: DW/P. Stojanovski

Sipas njoftimeve zyrtare, puna e qeverisë maqedonaseveriore vazhdon të zhvillohet përmes komunikimit digjital. Edhe në kushte izolimi, vazhdon komunikimi i rregullt dhe koordinimi i të gjitha proceseve në vend dhe menaxhimi i krizës së virusit Corona”, thuhet në një komunikatë të qeverisë. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani ka njoftuar se nga dita e enjte është futur në vetizolim. "Pas konfirmimit pozitiv për COVID-19 të Kryetarit të Kumanovës, e meqë të mërkurën kishim takim në Shtabin Komunal në Kumanovë, pavarësisht se gjatë gjithë kohës kam qenë me mjete mbrojtëse personale, maskë dhe doreza që epidemiologët i vlerësojnë si të mjaftueshme për t'u mbrojtur, vendosa që të enjten të mos shkoj në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë te presidenti si dhe të vetizolohem deri të martën kur duhet të bëhet testimi sipas protokolleve”, ka shkruar Osmani në Facebook.

ShkupiFotografi: DW/P. Stojanovski

Në vetëizolim shtipiak gjenden edhe dy liderët e partive më të mëdha maqedonase Zoran Zaev nga LSDM dhe Hristijan Mickovski nga VMRO-DPMNE. Të dy liderët partiakë kishin zhvilluar më parë disa intervista me një gazetar që ka dalë pozitiv pas testit të virusit Corona.

Gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë shënuar 107 të infektuar të rinj dhe një i vdekur nga Covid-19. Ky është numri më i lartë i të infektuarve brenda 24 orëve në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i pandemisë. Gjithsej numri i të prekurve nga virusi në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 1081 persona, prej të cilëve 46 vetë kanë ndërruar jetë,  ndërsa janë shëruar 98 persona.

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut