1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Katalanas ndëshkojnë qeverinë qendrore të Spanjës

22 Dhjetor 2017

Zgjedhjet rajonale në Katalonjë nuk sollën rezultatin e dëshiruar nga Madridi. Separatistët mundën ta mbrojnë shumicën e tyre në parlament. Humbësi quhet Mariano Rajoy.

Wahlen in Katalonien
Fotografi: picture-alliance/dpa/AP/E. Morenatti

Për kryeministrin e Spanjës, Rajoy përfundimi i zgjedhjeve rajonale është një goditje e hidhur. Ai pati shpresuar se separatistët do të dalin të dobësuar nga zgjedhjet e organizuara nga Madridi dhe se në këtë mënyrë do të zbutej konflikti për pavarësinë e rajonit të pasur në verilindje të vendit.

Në Parlamentin e ri rajonal, 70 nga 135 vendet i fituan tri partitë që luftojnë për një shkëputje nga Spanja. Në zgjedhjet e fundit në 2015 ato patën vetëm dy vende më tepër. Forca politike kryesore në kampin e separatistëve është partia e kryeministrit të shkarkuar, Carlos Puigdemont me 34 vota. Krejt e paqartë mbetet se ç'pamje mund të ketë një koalicion i ri qeveritar i separatistëve: udhëheqësit kryesorë të tyre janë ose në burg, ose si Puigdemonti jashtë vendit.

Carles Puigdemont në BelgjikëFotografi: Reuters/F. Lenoir

Që nga mërgimi në Belgjikë, Puigdemonti foli për një "shuplakë" për qeverinë qendrore spanjolle. "Shteti spanjoll u mund. Rajoy dhe aleatët e tij humbën". Njëkohësisht, Puigdemont u tregua i gatshëm të takohet për bisedime jashtë Spanjës me kryeministrin  Mariano Rajoy. Rajoy duhet të njohë fitoren e mbështetësve të pavarësisë, tha Puigdemont. Rajoy nuk e pranoi këtë ftesë. Ai tha nga ana e tij tha se Puigdemonti duhet të takohet me fituesen e zgjedhjeve rajonale Ciudadanos. Ciudadanos me udhëheqësen karizmatike Inés Arrimadas konsiderohet si fituesja e mirëfilltë e zgjedhjeve. Ajo fitoi 37 mandate, duke fituar kështu numrin më të madh të mandateve nga të gjitha partitë.

Inés ArrimadasFotografi: picture alliance/dpa/AA/B. Abkulut

Gjermania bën thirrje për respektimin e kushtetutës së Spanjës 

Gjermania ka bërë thirrje për pajtim dhe për të respektuar kushtetutën e Francës pasi separatistët triumfuan në zgjedhjet rajonale . "Shpresojmë se ndarja aktuale në shoqërinë katalanase mund të kapërcehet dhe se një e ardhme e përbashkët mund të gjendet me të gjitha forcat politike në Spanjë" tha zëdhënësja e qeverisë Ulrike Demmer në një konferencë të rregullt shtypi të premten."Çdo qeveri duhet të veprojë mbi bazën e sundimit të ligjit dhe të kushtetutës spanjolle". AUD