Zgjedhje direkte e presidentit në Gjermani?
25 Qershor 2007
Presidenti gjerman, Horst Köhler nuk e ka përjashtuar faktin që në vitin 2009 të kandidojë edhe njëherë për postin e kreut të shtetit. 64 vjeçari tha në talk-shoun politik "Sabine Christiansen" në televizionin e parë gjerman, ARD, se ai do ta publikojë vendimin etij një vit para mbarimit të mandatit të tij.
"Le të presim deri atëherë" tha Köhler, i cili në 1 korrik mbush tre vjet në postin e përfaqësuesit më të lartë të shtetit në Gjermani.
Köhler në televizionin e parë gjerman ARD bëri fjalë për zgjedhjen direkte të presidentit: "Unë besoj se nuk është një model i keq të zgjidhnim direkt presidentin e federatës, ndoshta për një peridhë shtatë apo tetëvjeçare. Kështu edhe përplasjet që gjithmonë kanë elementë politikë, pra elementë politikë koalicionistë do të jenë më të kufizuara." tha Köhler në televizonin ARD:
Deri më tani në Gjermani, presidenti zgjidhet nga asambleja e federatës, e cila përbëhet nga deputetë të bundestagut dhe të deleguar të landeve të ndryshme gjermane.
Köhler është shprehur për më shumë elementë të demokracisë direkte. Politika do të bënte mirë të reflektonte për këtë, tha Köhler në ARD.
Mandati i presidentit gjerman Köhler përfundon në vitin 2009. Köhler i bëri këto deklarata në emisionin e fundit të drejtueses së njohur të talk-shout politik, Sabine Christiansen, i cili kishte një kuotë të lartë shikuesish. 3, 98 milionë spektatorë ndoqën bisedën me presidentin gjerman.