1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje në Austri: Drejt republikës blu?

Volker Wagener22 Maj 2016

Do të shndërrohet republika austriake? Ende priten numërimi i votave në letër. Norbert Hofer, kandidati i FPÖ-së djathtiste dhe ish-kreu i të Gjelbërve, Alexander van der Bellen në garë kokë më kokë.

Bundespräsidentenwahl in Österreich 2016
Fotografi: DW/E. Numanovic

„Të dy u turpëruan, dëmtuan postin, nivel kopshti fëmijësh“, kështu e përmbledh politologu Thomas Hofer duelin televiziv mes dy kandidatëve të ofruar nga një televizion privat austriak, ATP të dielën e shkuar: Një duel verbal i dalë jashtë kontrollit i dy kandidatëve presidencialë që dalin në balotazh më 22 maj. Alexander Van der Bellen, 72, (i pavarur) dhe Norbert Hofer, 45, (Partia Austriake e Lirisë, FPÖ), që morën më shumë vota në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Austri u përplasën me njëri-tjetrin pa moderim. Një eksperiment televiziv që dështoi, sepse asnjëri nuk i kurseu fyerjet. Por asnjërit ato nuk i ndihmuan, mendojnë ekspertët.

Fundi i „modelit austriak“

Dramaturgjia e fushatës zgjedhore presidenciale në Austri nuk kishte nevojë për një dështim të tillë. Edhe pa të lufta për kolltukun e presidentit në Hofburgun vjenez i përmban të gjitha ato elemente që mund të cilësohen si historikë. Hofer, i veshur me kostum dhe i qetë arriti në raundin e parë të marrë 35% të votave, shumë më tepër se parashikimet e sondazheve, që i jepnin kandidatit vetëm 30%.

Kundërshtari i tij, Van der Bellen, politikan i Të Gjelbërve, por që në garë hyri si i pavarur, mori 21% të votave. Por më shumë ra në sy rrëzimi spektakolar i partive të koalicioneve të zgjatura me bazë të gjerë, socialdemokratët, SPÖ dhe konservatorët, ÖVP. Të kuqtë dhe të zinjtë (modeli i njohur austriak) e kanë ndarë prej dekadash mes tyre shtetin austriak. Sipas motos: Kemi nevojë për njëri-tjetrin, prandaj nuk e ngacmojmë.

Norber Hofer kandidati i FPÖ me shanseFotografi: Getty Images/AFP/H. Schneider

Të dyja partitë që kanë rënë në sondazhe në rreth 20% janë shumë të dobta për të arritur shumicën në koalicion. FPÖ me 30% deri në 32% është fuqia e re në vend. Dikur e parë si tabu, vendi është mësuar tanimë me partinë me tone djathtiste. Tre nga katër zgjedhësit e dikurshëm të socialdemokratëve votojnë ndërkohë për FPÖ-në.

Për “inatin” e Berlinit?

Me këtë Austria ndjek vetëm trendin që vihet re në BE. Por Austria mund të bëhet e para që zgjedh në krye të vendit përfaqësuesin e një partie populiste të djathtë. Vendi i alpeve ishte në qendër të vëmendjes europiane e botërore në vitin 2000, kur partia FPÖ u bë pjesë e qeverisë në atv kohë. Austrisë iu drejtuan kritikat, ashtu si sot, por kjo vetëm u kthye në favor të FPÖ-së. Madje kur të tjerët fusin hundët në punët austriake, sidomos kur kjo bëhet nga Gjermania, atëherë austriakët të bashkohen më shumë djathtas. 9 milionë fqinjët juglindorë të Gjermanisë nuk duan të dëgjojnë shumë nga vëllai i madh. Këtë iu desh ta kuptojë edhe kreu socialdemokrat gjerman, Sigmar Gabriel, i cili kërkoi një “front të të gjitha forcave demokratike” kundër Hoferit. Kandidati Norbert Hofer u përgjigj se “ne nuk marrim urdhra nga Berlini”.

Që para 30-vjetësh, kur Kurt Waldheimin e rëndonte e shkuara nacionalsocialiste, austriakët u solidarizuan duke arritur një mazhorancë nga qendra-djathtas e duke e bërë president të vendit të kritikuarin nga Gjermania. Edhe para 16-vjetësh, kur kancelari konservator, Wolfgang Schüssel bëri pjesë të kabinetit partinë e FPÖ-së të Jörg Haiderit, u vu re efekti i kundërt që arrihet, kur zgjedhësve “u rekomandohet”, me lutje të mos votohet për populistin. Atëherë del në sipërfaqe efekti austriak ”tani edhe më shumë”.

Kandidati i pavarur, Alexander van der Bellen shprehet për votim vendimtar për AustrinëFotografi: Reuters/H.-P. Bader

Hofer, pastaj zgjedhje të reja?

Nëse Norbert Hofer zgjidhet të dielën president i Austrisë shtrohet pyetja si do të veprohet më tej. Kushtetuta i garanton presidentit shumë kompetenca, të cilat gati nuk janë përdorur deri më tani. Më së voni në vjeshtën e vitit 2018 do të zgjidhet parlamenti i ri, Këshilli Kombëtar dhe kancelari. Por prej javësh diskutohet skenari i zgjedhjeve të parakohshme.

Nëse FPÖ nuk pret deri në afatin e përcaktuar të zgjedhjeve, atëherë mbetet në kompetencën e presidentit Hofer të shkarkojë qeverinë. Një shkas për këtë mund të gjendet lehtë në kohë të vështira ekonomike: Një kancelar, i emëruar nga presidenti, do t'i drejtonte lutjen kreut të shtetit për shpërbërjen e parlamentit. Në zgjedhjet që pasojnë, FPÖ do të dilte fitimtare tek 2 milionë votuesit, kështu e përfytyrojnë populistët skenarin. Deri më tani Hofer ka lënë të kuptohet se do të ndërhyjë në mënyrë aktive në politikë. Në këtë pikë ai është edhe konkret: Ai do ta shkarkonte qeverinë, në rast të një hapjeje të kufijve për refugjatët.