1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje në Holandën skeptike ndaj Evropës

Ralf Bosen/Auron Dodi12 Shtator 2012

Holanda zgjedh të mërkurën parlamentin e ri. Fushatën elektorale këto javë e sundoi kriza e euros. Por çfarë i shqetëson holandezët? Opinione të kryeredaktorit të gazetës de Volkskrant Philippe Remarque.

Griechenland Eurokrise Euromünze
Fotografi: picture-alliance/ZB

Hollandezët zgjedhin të mërkurën parlamentin e ri. Në prill të këtij viti, qeveria Mes-I Djathtë u shpërbë pas largimit të partisë "Partia për Lirinë" të populistit të djathtë, Geert Wilders. Wildersi u largua nga qeveria si protestë për programin e rreptë të kursimit. Sipas sondazheve, garojnë me rezultate gati të njëjta, partia e djathtë liberale VVD e kryeministrit Mark Rutte dhe partia sozialdemokrate PvdA e Diederik Samsom. Të dyja partitë mbështesin forcimin e Bashkimit Europian dhe të euros dhe mund të marrin nga 35 të 150 vendeve në dhomën e dytë. Partia euroskeptike Sozialiste (SP) ishte prej kohësh parti e preferuar, por ra në sondazhet e fundit. Partia për Liri (PVV) e populistit të djathtë, Geert Wilders, që kërkon daljen nga BE dhe kthimin tek monedha kombëtare Gulden, parashikohet se do të pësojë humbje. Gjithsej konkurrojnë 21 parti.

Emile Roemer, kandidati kryesor i socialistëve holandezëFotografi: DW

Kriza e euros është mbizotëruese në fushatën elektorale. Shumë hollandezë e përshëndesin rreptësinë financiare të Merkelit, por nuk janë dakord me politikën e saj ndaj Evropës, thotë kryeredaktori i gazetës de Volkskrant Philippe Remarque në bisedë me DW.

Deutsche Welle: Zoti Remarque, e gjithë Evropa vuan nën krizën e euros. Sa e ka ndikuar kjo fushatën elektorale në Hollandë?

Philippe Remarque: Ka dy parti populiste që e shfrytëzojnë eurokrizën për të krijuar profilin e tyre. Njëra është Partia për Lirinë, nën populistin e djathtë Geert Wilders. Ai kërkon daljen e Hollandës nga BE dhe kërkon të kthejë Guldenin, monedhën tonë kombëtare. Partia e Dytë është Partia Socialiste, e krahasueshme me partinë E Majta në Gjermani.

Po partitë e tjera? Rrinë të tërhequra apo e shajnë edhe ato BE?

Philippe Remarque: Në debate publike atyre natyrisht që u duhet të thonë se kthimi tek Guldeni do të ishte i tmerrshëm, se do të kushtonte vende pune dhe do të vinte në rrezik pensionet tona. Kështu shprehet edhe kryeministri Rutte, kryetari i partisë më të madhe, partisë liberale VVD. Por edhe ai përpiqet ta shfrytëzojë për të fituar pikë tek eurokrizë.

Geert Wilders ka harruar islamin dhe ka gjetur si temë krizën e eurosFotografi: picture-alliance/dpa

Meqenëse kriza e euros është temë e fushatës elektorale do të thotë se politika e sheh këtë si zërin e popullit dhe se kjo tendencë euroskeptike do të zgjasë mjaft.

Philippe Remarque: Po. Më parë, së bashku me Gjermaninë ne kemi qenë si të thuash evropianët më të mirë të klasës. Për shkak të eurokrizës kjo ka ndryshuar. Shumë njerëz thonë - ndoshta njësoj si në Gjermani- se grekët vërtet që i marrin paratë tona, por nuk bëjnë sa duhet për t'i zgjidhur problemet e tyre. Kritikë të tjerë thonë: ne nuk duhet ta kishim futur kurrë euron si monedhë të përbashkët, elita proevropiane na ndikoi, pa na informuar sa duhet. Kjo pakënaqësi, e cila pjesërisht është e justifikuar sjell skepticizëm të madh. Eshtë domethënëse që Wildersi nuk thotë në fushatën elektorale gati asgjë për temat e tij të mëdha në politikën ndaj të huajve dhe fenë islame, por është përqendruar tek kriza e euros dhe tek dalja nga BE.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel luan një rol të rëndësishëm në krizën e euros. Si e vlerësojnë hollandezët politikën e saj ndaj Evropës?

Mark Rutte i të djathtës liberale ka sërish shanse për pushtetinFotografi: REUTERS

Philippe Remarque: Nga njëra anë hollandezët ndihen shumë të qetë, që Merkeli ekziston, sepse ajo ngul këmbë që vendet e Evropës Jugore të bëhen pak më gjermane në mbajtjen e llogarive dhe në organizimin ekonomik. Ne hollandezët kemi përfytyrime të ngjashme si kancelarja dhe ndihemi pak gjermanë në këtë debat. Nga ana tjetër, ajo, si e gjithë elita politike evropiane - kërkon ta shtyjë përpara bashkimin politik të Evropës. Një bashkim i tillë ne na frikëson pak. Shumë komentatorë dhe intelektualë i japin të drejtë Merkelit, sepse një bashkim politik do të ishte më e mira në këtë situatë. Por njerëzit këtu ndiejnë ndryshe. Ata i shqetëson humbja e sovranitetit. Hollandezët tani janë kritikë ndaj gjithë proevropianëve. Por nuk ka një frymë antigjermane. Askush nuk thotë që gjermanët duan të na futin në një bashkim që nuk e duam. Këtu polemizohet vetëm me Brukselin si koncept dhe kurrë me Berlinin.

Philippe Remarque është prej vitit 2010 kryeredaktor i së përditshmes që del në Amsterdam de Volkskrant ("gazeta e popullit"),

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW