1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje vendimtare në landin gjerman Renani Veriore - Vestfali

9 Maj 2010

Në landin gjerman me popullsinë më të madhe zgjidhet parlamenti i ri. Me gjasa koalicioni konservatoro-liberal, në qeveri prej pesë vjetësh, do të rrëzohet. Kjo do të ketë pasoja për politikën në rrafsh kombëtar.

Pllakate zgjedhore të dy kundërshtarëve në NRW Hannelore Kraft (SPD) dhe Jürgen Rüttgers (CDU)Fotografi: picture-alliance/dpa

Në kryeqytetin e vendit Berlin ka nervozizëm. Të gjithë sytë drejtohen nga Renania Veriore - Vestfalia (NRW). Kjo sepse këtu vendoset sot jo vetëm për vazhdimin në kryeqytetin e landit Dyseldorf. Këtu vendoset edhe për vazhdimin në Berlin. Ashtu si në rrafsh vendi edhe në NRW qeveris një aleancë e ashtuquajtur zi-e-verdhë midis kristiandemokratëve (CDU) - kristiansocialëve (CSU) dhe liberalëve (FDP).

Ende qeveris ajo, sepse sipas sondazheve të fundit punët nuk duken mirë për këtë kombinacion. Sipas tyre zi-e-verdhë është po aq sa kuq-e-gjelbër, pra sa aleanca midis Partisë Socialdemokrate (SPD) dhe Të Gjelbërve. Të dyja kombinacionet arrijnë 45 për qind, por jo shumicën. Në rast se kjo ndryshon dhe ka shumicë për SPD-në dhe Të Gjelbrit, atëherë qeverisja deri në fund të mandatit do të bëhet më e vështirë për qeverinë në Berlin.

Mbledhje e dhomës së lartë të parlamentit në BerlinFotografi: picture alliance / dpa

Kjo pasi çfarëdo që të vendosë kabineti dhe dhoma e ulët e parlamentit, projektligjet duhet të miratohen edhe nga një instancë tjetër. Kjo është dhoma e lartë e parlamentit e quajtur edhe dhoma e landeve, selia e përfaqësive të landeve. Në rast se në NRW zgjidhet një qeveri kuq-e-gjelbër, atëherë do të kishte sërish shumicë për opozitën në dhomën e lartë dhe ajo ka plane të ndryshme nga ato të qeverisë.

Temat e mëdha të mosmarrëveshjes midis qeverisë dhe opozitës janë heqja dorë nga energjia bërthamore, uljet e taksave dhe e ashtuquajtura shumë e rrumbullakosur për frymë në sigurimin shëndetësor ligjor. Qeveria e vjetër midis SPD-së dhe Bashkimit Kristiandemokrat-Kristiansocial (CDU-CSU) synonte ta çonte përpara heqjen dorë nga energjia bërthamore në Gjermani. Për SPD-në kjo ishte një temë e rëndësishme e fushatës zgjedhore për zgjedhjet kombëtare të 27 shtatorit 2009. Por, CDU dhe FDP nuk e kanë pëlqyer ndonjëherë këtë ide, kështu që planet për një ndarje të shpejtë nga kjo energji përfunduan shpejt në koshin e plehrave dhe në tryezë u vendosën plane të reja për zgjatjen e kohës së shfrytëzimit të centraleve bërthamore. Këtë qeveria nuk do të jetë më në gjendje ta arrijë, në qoftë se dhoma e lartë e parlamentit është kundër këtij projekti.

Autor: Silke Wünsch / Elert Ajazaj

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi