Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë me lista të hapura
21 Maj 2007Tashmë është vendosur që në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë të cilat parashihet të mbahen 9 muaj pas zgjidhjes së statusit, për herë të parë të përdoret sistemi me lista të hapura. Për këtë vendim janë dakorduar krerët e misionit të OSBE-së dhe
përfaqësuesit e partive politike.
Në zgjedhjet e fundit, që u mbajtën në vitin 2004, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka
udhëhequr shumicën e operacioneve zgjedhore brenda Kosovës, ndërsa aktualisht OSBE-ja bashkë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë nisur aftësimin e ekipeve të tyre, për të përdorur listat e hapura dhe për të ndihmuar autoritetet kosovare, që të marrin tërësisht përsipër udhëheqjen e procesit zgjedhor në Kosovën e pas statusit.
Sven Lindhol, zëdhënës i OSBE-së thotë se kjo ka qenë kërkesë e shumicës së partive politike, që në zgjedhjet e ardhshme të votohet me lista të hapura, në mënyrë
që votuesit të mund të votojnë për kandidatët, e jo vetëm për partitë.
"Shpresojmë që kur të hartohet ligji për zgjedhjet në kuvendin e Kosovës, listat e hapura do të përfshihen në të, pasi ky është vullneti i grupit punues, që natyrisht ka në përbërjen e tij partitë politike dhe komunitetet", u shpreh Sven Lindholm.
Pëfaqësuesit e OSBE-së janë të bindur se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë është krejtësisht i përgatitur për të udhëhequr në tërësi procesin zgjedhor, pasi këtë e ka dëshmuar edhe në zgjedhjet e vitit 2004. "Komisioni Qendror do ta ketë rolin udhëheqës, mirëpo OBSE-ja me përvojën e saj do të jetë aty, për të ndihmuar që procesi të ndjekë rrjedhën e duhur që nga fillimi deri në fund", tha Lindholm.
Zëvëndëskryeministri i Kosovës Lutfi Haziri, i cili bashkëudhëhequr grupit punues pë zgjedhjet thotë se, grupi është dakorduar që të draftohet ligji për zgjedhjet, mirëpo sipas tij kanë mbetur edhe disa çështje të hapura.
Zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë qenë ato të vitit 2004, që janë mbajtur për Parlamentin e Kosovës. Mandatet e deputetëve aktualë skadojnë në dhjetor të këtij viti, ndërkohë që mandatet e këshilltarëve në asambletë komunale tashmë kanë skaduar.Në anën tjetër, sipas propozimit të Ahtisaarit, zgjedhjet në Kosovë duhet të mbahen jo më herët se 6 muaj pas miratimit të rezolutës, që do të definonte statusin final të Kosovës.