1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet lokale në Shqipëri - Test për pjekurinë demokratike të vendit

Fabian Schmidt20 Shkurt 2007

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) i ka vlerësuar si një 'shans të humbur' zgjedhjet e zhvilluara të dielën në Shqipëri

Posterat e zgjedhjeve lokale, Tiranë 2007
Posterat e zgjedhjeve lokale, Tiranë 2007Fotografi: DW

Zgjedhjet në njëfarë mënyre janë zhgënjyese, tha të hënën në Tiranë shefi i OSBE-së në Shqipëri, Jörgen Grunnet. Edhe pse zgjedhjet në përgjithësi ishin të qeta ato u dëmtuan prej defekteve me karakter teknik dhe në disa vende edhe nga tensionet. Grunnet kritikon pikërisht faktin që shumë shqiptarë ende nuk posedojnë dokumenta identifikimi. Zgjedhjet komunale rrodhën më keq sesa zgjedhjet parlamentare në korrik të vitit 2005.

Raporti paraprak i OSBE-së është një dëshmi për paaftësinë e politikës shqiptare. Ai tregon se politikanët shqiptarë për më tepër se një dekadë kanë humbur kohën në luftë me kundërshtarët, në vend që t´u shërbejnë qytetarëve dhe të ndërtojnë një administratë efikase. Faji në këtë rast bie ndaj përfaqësuesve të të dyja kampeve të mëdha politike.


Pas trazirave të vitit 1997, Partia Socialiste kishte tetë vjet kohë për të përpiluar një regjistër të plotë të zgjedhësve dhe të popullsisë. Edhe demokratët kishin një vit e gjysmë kohë për ta vazhduar këtë punë. Në vend të kësaj Shqipëria, pas disa reformave të kodit elektoral, ka vetëm një sistem zgjedhor i cili institucionalizon mosbesimin e ndërsjelltë dhe i hap rrugën presionit politik.

Në demokracitë funksionuese janë nëpunësit ata që merren me organizimin e zgjedhjeve dhe jo partitë politike. Qytetarët ua besojnë atyre këtë detyrë, pasi ata janë neutral dhe të detyruar ndaj ligjit. Në të kundërt në Shqipëri partitë kanë një rol formal të rregulluar me ligj në organizimin e zgjedhjeve.

Kjo ka të bëjë me atë se partitë nuk i besojnë njëra-tjetrës dhe secila do të ndërhyjë për të përjashtuar manipulimin e zgjedhjeve. Por siç e thotë populli "shumë mami e mbysin fëmijën". Kërcënimet me bojkot të partive të veçanta mund ta paralizojnë të tërë procesin zgjedhor. Grindjet e ashpra rreth çështjeve proceduriale në muajt e fundit tregojnë mungesë respekti të klasës politike kundrejt qytetarëve.

Ndryshe nga vlerësimi për politikanët, OSBE-ja u dha notë të mirë zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Megjithë zvarritjet për faj të politikës, ata bënë të pamundurën duke mundësuar për një kohë shumë të shkurtër një proces zgjedhor pa vështirësi. Për këtë ata meritojnë respekt. Eshtë kjo një dëshmi tjetër që politika duhet të tërhiqet nga përgatitja e zgjedhjeve.

Raporti i OSBE-së përmban një kërkesë të qartë për veprim në adresë të qeverisë shqiptare: përpilimi i një regjistri permanent dhe pajisja e qytetarëve me dokumenta moderne identifikimi. Por vetëm kaq nuk mjafton. Ligjëvënsit duhet të angazhohen për qytetarët e jo për udhëheqjet e partive të tyre dhe të depolitizojnë me ligj procesin zgjedhor. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë në vitin 2008. Koha nuk pret.