Zgjedhjet në Afganistan: Populli me vullnet, shteti i dobët
22 Tetor 2018A është e mundur të arrihet demokracia në Afganistan? Sa u përket zgjedhësve afganë, kjo pyetje mund të marrë përgjigjen me po të qartë. Fotografitë e korrespondentëve tanë në terren dhe të mediave afgane tregojnë rradhë të gjata të njerëzve para qendrave të votimit. Më shumë se tre milionë zgjedhës ndër 8,8 milionë të regjistruar dhanë votën e tyre të shtunën në mbrëmje, sipas të dhënave zyrtare. Kjo është një shifër e konsiderueshme zgjedhësish të patrembur në sfondin e kërcënimeve me dhunë prej talibanëve dhe organizimit kaotik.
Kryesisht të rinjtë nëpër qytete nxitonin të jepnin votën dhe nuk u trembën as për të folur hapur para kamerave. Kush lejohet sot në moshën 18 vjeçare të votojë, ka qenë vetëm një vjeç në kohën e regjimit të talibanëve dhe pothuajse të gjithë jetën e ka kaluar në një demokraci jaashtëzakonisht të çalë, por sidoqoftë ekzistuese. Por edhe kjo premisë sado e vakët për angazhimin politik qytetar ka efekt dhe jep shpresë për të ardhmen.
Autoritetet kanë dështuar në shumë drejtime
A është e mundshme demokracia në Afganistan? Përsa i përket punës dhe motivacionit të palës zyrtare dhe forcave të sigurisë, kjo ka shumë pikëpyetje. Asnjëherë nuk do të konstatohet, se sa afganëve, që donin të votonin, është dashur të kthehen në shtëpi pa votuar për shkak të paaftësisë së organizatorëve. Gati një e treta e qendrave të votimit të shtunën qendruan të mbyllura. Një arsye e rëndomtë ishte, se nuk funksiononte identifikimi biometrik i zgjedhësve. Zgjedhjet si rrjedhojë u shtynë brenda ditës në 400 qendra votimi për të dielën. Në një provincë të tërë, në Ghazni në Afganistanin qendror votimet as që u organizuan fare - jo për shkak të talibanëve - por sepse autoritetet nuk arritën të bien dakord për kufizimin e qarqeve elektorale.
Po ashtu nuk do të mësohet, se sa njerëz të frikësuar prej talibanëve qendruan në shtëpi. Në rreth 200 sulme me bomba, predha e granata islamistët në ditën e votimeve vranë mbi 30 vetë dhe plagosën rreth 130 vetë. Ndërkohë që për garantimin e sigurisë së votimeve ishin angazhuar rreth 70.000 ushtarë e policë përpara dhe gjatë zgjedhjeve. Por edhe në kryeqytetin e siguruar në nivel të lartë, në Kabul sulmet nuk mundën të parandalohen. As vrasja e shefit të policisë në Kandahar dy ditë para zgjedhjeve nuk mundi të parandalohet. Në metropolin jugor afgan si rrjedhojë zgjedhjet do të zhvillohen dy javë më pas, kur gjendja të jetë qetësuar - një provë për dështimin e forcave të sigurisë kjo, që jep vetëm pak shpresë për të ardhmen.
SHBA lejojnë forcimin e talibanëve
A është e mundur të arrihet demokracia në Afganistan? Për sa u përket aleatëve të qeverisë afgane kjo perspektivë duket e zymtë. Më 12 tetor i ngarkuari i posaçëm i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, u takua me përfaqësues të talibanëve - pa pjesëmarrjen e qeverisë afgane. Natyrisht SHBA e ka të qartë, që talibanët e minojnë zhvillimin demokratik në vend. Por këtë ata e kapërdijnë, për të përshpejtuar paqen dhe për të arritur tërheqjen e shpejtë të trupave të SHBA-së nga Afganistani. Në këtë mënyrë ata i vendosin gurë nëpër këmbë demokracisë në Afganistan.
Zgjedhësit afganë dëshmuan, se ata janë të vullnetshëm, që pavarësisht vështirësive, të kontribuojnë me votën e tyre për formësimin e demokracisë. Deri në festën tjetër të demokracisë pranverën e vitit 2019 janë shteti dhe aleatët ata që duhet të përmirësohen. Sepse në pranverë në Afganistan zhvillohen zgjedhjet presidenciale.