1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Gjermani përballë së panjohurës

31 Gusht 2021

Fushata për zgjedhjet sjell të papritura: për herë të parë në sondazhe kryesojnë socialdemokratët.Por katër javë para zgjedhjeve është e hapur a do ta drejtojnë Gjermaninë konservatorët apo të majtët, shkruan Auron Dodi.

Bochum SPD-Kanzlerkandidat Olaf Scholz
Fotografi: LEON KUEGELER/REUTERS

Rezultati i institutit demoskopik Forsa i ditëve të fundit erdhi papritur. Sipas tij socialdemokratët (SPD) kryesojnë në sondazhe, për herë të parë në 15 vitet e fundit. SPD kryeson me 23 përqind të votave, ndërsa CDU/CSU-ja merr 22 përqind. Të Gjelbrit kanë zbritur tashmë prej kohësh në vend të tretë, me 18%. Kryesimin e socialdemokratëve e ka konfirmuar edhe një sondazh i një instituti tjetër demoskopik, ndërsa një sondazh i institutit Allensbach sheh CDU/CSU-në përpara.

Është e ditur që sondazhet nuk janë rezultatet e zgjedhjeve. Sondazhet pasqyrojnë edhe emocione të momentit. Por që Partia Socialdemokrate Gjermane të dalë partia më e fortë në zgjedhje, kjo tani nuk përjashtohet. Shihet si një mundësi 50:50.

Pse ndryshoi opinioni në dobi të socialdemokratëve?

Në fakt, ngjitja socialdemokrate në sondazhe është vetëm tre përqind në krahasim me zgjedhjet e shkuara parlamentare. Dhe atëherë, në 2017-ën, rezultati u konsiderua historik i ulët për socialdemokratët. Forcimi i socialdemokratëve, në radhë të parë, është një dobësim i CDU/CSU-së.

CDU/CSU kanë rënë 20 përqind përballë socialdemokratëve, që nga janari i këtij viti. I largët duket fillimi i vitit, kur kjo parti pritej t'ifitonte me mbi 30 përqind zgjedhjet. Ndërsa që nga zgjedhjet e kaluara parlamentare partitë unioniste kanë rënë 10 përqind.

Rënia e CDU/CSU-së në sondazhe nisi me krizën e pandemisë. Vaksinimet ecën ngadalë, pasi vaksinat mungonin në Gjermani, ku u shpik vaksina BionTech/Pfizer; në kufizimet e forta të jetës publike njerëzit shpesh nuk dallonin një strategji të qartë; një aferë korrupsioni me maska e disa deputetëve të CDU/CSU-së i goditi më tej partitë unioniste; së fundi, fundi i paorganizuar mirë i angazhimit në Afganistan dhe mungesa e paralajmërimeve në përmbytjen e madhe në dy lande federale duket se e goditën tolerancën e njerëzve.

Godina e BundestagutFotografi: picture-alliance/dpa/xim.gs/p. Szyza

Me gjithë këto, shanset që kandidati i CDU/CSU-së për kancelar, Armin Laschet të bëhet pasardhës i Merkelit ende ekzistojnë. Lascheti është i aftë për surpriza, siç e tregoi edhe ndeshja televizive e së dielës (29.08.) me kandidatët për kancelarë të SPD-së dhe të Të Gjelbërve: në të ai i vuri qartë përpara socialdemokratit Scholz p.sh. qëndrimin e pavendosur të SPD-së për angazhimet ushtarake.

Performancën e Laschet-it e ndikuan megjithatë disa pakujdesi. Një buzëqeshje në sfond në televizion, kur po fliste presidenti i Gjermanisë për përmbytjen, u interpretua nga kundërshtarët si mungesë empatie. Pengues për Laschetin është edhe fakti që në CDU/CSU ka njerëz që ende e shohin kryeministrin e Bavarisë, Markus Söder, të përshtatshëm si kandidat për kancelar. Dhe sa më të dukshme bëhen krizat, aq më fort pyesin njerëzit kush duket më kompetent për t'i drejtuar më mirë.

Ngjitja e SPD-së lidhet edhe me kandidatin për kancelar

Është fakt, kandidatit socialdemokrat për kancelar, Olaf Scholz deri tani nuk i kanë shpëtuar gabime në fushatën elektorale. Scholz-i ka përvojë të gjatë drejtuese. Si ministër i Financave të Gjermanisë ai drejtoi ekonominë gjatë pandemisë duke shpërndarë shumë para e subvencione. Ai ka qenë ministër në dy qeveri të Merkelit: me përvojën drejtuese dhe me natyrën e qetë ai sugjeron kompetencë e vazhdimësi. Edhe në popull, socialdemokrati Scholz është kandidati më i preferuar për kancelar: për momentin atë e mbështesin 35 përqind e gjermanëve. Pasohet nga kandidatja e Të Gjelbërve, Annalena Baerbock, me 15 përqind. Kurse kandidati i CDU/CSU, Laschet, për momentin merr 11 përqind. Njëkohësisht: 44 përqind e gjermanëve nuk mbështesin asnjërin nga kandidatët.

Debati i fundit televiziv midis Laschet-it, Baerbock-ut dhe Scholz-it (29.08.2021)Fotografi: RTL/dpa/picture alliance

Sondazhet mund të ndryshojnë. Janë ende katër javë deri në zgjedhjet parlamentare në 26 shtator. Por edhe po nuk dolën të parët, socialdemokratët duket se vendin e dytë e kanë të sigurtë.

Për herë të parë prej 1949 një qeveri me tri parti

Njëkohësisht, emëruesi i përbashkët i të gjitha sondazheve të deritashme sugjeron se CDU/CSU ka shanse të dalë partia më e fortë nga zgjedhjet. Dhe që mandatin për të formuar qeverinë do ta marrin unionistët. E sigurtë megjithatë kjo nuk është.

Më të sigurtë që do të jenë pjesë e çfarëdo koalicioni qeveritar janë të Gjelbrit. Ata janë tani në vend të tretë, me 18 përqind. Të Gjelbrit janë të vetmit që e kanë dyfishuar mbështetjen që nga zgjedhjet e kaluara parlamentare. Mbështetja për Të Gjelbrit deri në mes të majit përkohësisht qe më e madhe edhe se mbështetja për CDU/CSU-në. Veç pandemisë, ndryshimi i klimës është tema tjetër që i preokupon më fort gjermanët.

Por edhe liberalët e FDP-së, aktualisht me 12 përqind duket se do të luajnë rol vendimtar, në çdo qeveri koalicioni. Ultra të djathtët e AfD-së, me 10 përqind, nuk i dëshiron njeri si partnerë. Kurse partia E Majta nuk arrin më shumë se 6%.

Armin Laschet dhe Angela MerkelFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Përndryshe për momentin duket krejt e hapur se cili koalicion qeveritar do të drejtojë Gjermaninë pas 26 shtatorit.

Shifrat sugjerojnë se Gjermania do të ketë një qeveri me tri parti pas zgjedhjeve parlamentare. Kjo është e re për Gjermaninë dhe mund ta ngadalësojë formimin e qeverisë. Do të ishte hera e parë, prej vitit 1949 që Gjermaninë do ta drejtonin tri parti.

Me gjasa për të formuar qeverinë aktualisht shihet një koalicion CDU - Të Gjelbrit - liberalët e FDP-së. Por gjasa ka po ashtu edhe një koalicion i dominuar nga të majtët: pra midis Socialdemokratëve, të Gjelbërve dhe liberalëve të FDP-së. Edhe një koalicion SPD-E Majta-Të Gjelbrit nuk përjashtohet si mundësi matematikore.

CDU-ja u druhet fort koalicioneve të tilla, ajo flet për rrezikun e një koalicioni të majtësh në pushtet. Prandaj tani i ka  shpallur socialdemokratët dhe Scholzi-n si kundërshtarët kryesorë në fushatë. Më pak i preferuar, sepse shihet mjaft i konsumuar me dy partitë kryesore, do të ishte një koalicion mes CDU-së, SPD-së dhe liberalëve të FDP-së.