1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në landin e Bremenit i fitojnë socialdemokratët dhe Të gjelbërit

23 Maj 2011

Në landin federal gjerman të Bremenit, partia socialdemokrate SPD dhe Të gjelbërit kanë marrë shumicën e votave në zgjedhjet e fituara ditën e dielë. Kështu që ata mund të qeverisin edhe më tej së bashku.

Zgjedhjet në landin e Bremenit
Zgjedhjet në landin e Bremenit

Në landin federal Bremen partia SPD dhe Të gjelbërit me një shumicë votash të fituara ditën e dielë mund të qeverisin edhe më tej së bashku. Partia e kancelares Merkel, CDU, pësoi humbje të madhe në këto zgjedhje në landin më të vogël të Gjermanisë duke kaluar si forcë politike pas të Gjelbërve. Partia liberale, FDP, nuk përfaqësohet më në parlamentin e Bremenit. Të Majtët, megjithë humbjet që patën, arritën të kalojnë pesë për qindshin për të hyrë në parlament.

Jens Böhrnsen, Kryetar i Bashkisë së BremenitFotografi: picture alliance / dpa

Politikanët socialdemokratë dhe të gjelbërit vlerësuan zgjedhjet si një sinjal i qartë për zgjedhjet e ardhshme në Berlin dhe për Bundestagun e ri. Pas numërimit të fundit të votave rezultatet paraprake flasin për një fitore të kryebashkiakut të Bremenit, Jens Böhrnsen, me 38,6 për qind, që tregon se ai ka arritur një fitore më të madhe se në vitin 2007 me 36,7 për qind. Të gjelbërit kanë arritur deri tani 22,4, kristiandemokratët 20,1 për qind që do të thotë 5,6 për qind më pak se në 2007.

Pas Hamburgut, Saksonisë, Rheinland-Pfalz-it dhe Baden-Vyrtembergut, Bremeni është landi i pestë federal për vitin 2011, ku qytetarët vendosin për një parlament të ri të landit.

Autor: Mimoza Cika- Kelmendi

Redaktoi: Aida Cama