Zgjedhjet në Mal të Zi: Reagime nga Gjermania
31 Gusht 2020Deputetja e partisë liberale gjermane, FDP, Renata Alt dhe anëtare e Komisionit të Jashtëm të Bundestagut shprehet një reagim ekskluziv për Deutsche Wellen pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Malin e Zi, ku partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviç ka pësuar humbje të ndjeshme. Rezultati zgjedhor për deputeten liberale tregon pakënaqësinë në vend. "Humbjet e ndjeshme për partinë DPS të Milo Gjukanoviç, tregojnë se sa e madhe është bërë pakënaqësia mbi stilin autoritar të tij. Së fundmi ai përmes vendimit për ligjin e kontestuar të kishës, ka mobilizuar qytetarët e rinj dhe ortodoksë në vendin thellësisht të përçarë në favor të partive opozitare."
Raportuesja e grupit parlamentar liberal për Balkanin Perëndimor, Renata Alt bën edhe një parashikim për të ardhmen politike të Gjukanoviçit. "Ajo që e kërcënon atë, është një bashkëjetesë e pakëndshme me një qeveri të re armiqësore ndaj tij. Por nëse aleanca pro-ruse e Frontit Demokratik do të bjerë në ujdi me të dyja alencat proeuropiane për një program qeverisës është më shumë se e pasigurtë."
Dyshime deputetja liberale shpreh edhe për orientimin properëndimor të një qeverie të re. "E dyshueshme është, nëse një qeveri e tillë, do ta drejtojë vendin në shinat e duhura. E rëndësishme është, që BE të heqë dorë nga rezervimi i saj për deficitet demokratike në Mal të Zi. Paraqitja si kryesuese në procesin e integrimit vetëm krijon iluzionin e demokracisë në vend. Kjo nuk duhet dhe nuk ka si të jetë në interes të BE", thekson deputetja liberale, Renate Alt në reagimin e saj për Deutsche Wellen, pas zgjedhjeve në Mal të Zi.