1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet për kryebashkiakun e Stambollit

Daniel Bellut
23 Qershor 2019

Pas një ankese të kreut të shtetit turk, Erdogan, zgjedhjet për postin e bashkisë së Stambollit u anuluan. Kandidati AKP, ish-kryeministri Yildirim dhe kandidati opozitar, Imamgolu dalin edhe njëherë në garë të dielën.

Bildkombo Binali Yildirim und Ekrem Imamoglu Türkei Wahlen

Presidenti turk, Erdogan dërgoi një kalibër të lartë për të fituar votimet për postin e kreut të bashkisë së Stambollit: Binali Yildirimin nga partia konservatore-islame, AKP. Yildirim konsiderohet mjaft besimtar, vjen nga provinca e Anadollit lindor, Erzincan, e krahas karrierës politike ai ka ngritur edhe një biznes për transportin me anije, të cilin e drejtojnë tani fëmijët e tij. Yildirim është politikan i vjetër e bashkë me ministrin e Financave, Berat Albayrak njëherësh edhe dhëndri i Erdoganit, janë bashkëudhëtarët më të rëndësishëm të presidentit, Erdogan.

Që nga vitet 90-të, këta dy burra të AKP i lidh një miqësi e fortë. Erdogan dhe Yildirim janë njohur në kohët, kur Erdogan drejtonte bashkinë e Stambollit. Atëherë Yildirim, një inxhinier anijesh drejtonte shërbimin e anijeve të qytetit, IDO. Kur Erdogan në vitin 2002 fitoi zgjedhjet parlamentare me AKP, e më vonë u zgjodh kryeministër, Yildirim u bë pjesë e rrethit të ngushtë të pushtetit.

Binali YildirimFotografi: picture-alliance/dpa/E. Bilgin

Presidenti Erdogan e emëroi Yildirim si kryeministër. Lidhjen e tij me presidentin turk e tregoi qartë referendumi për kushtetutën në vitin 2017. Yildirim u angazhua fort në fushatë për futjen e sistemit presidencial, megjithëse sistemi i ri qeverisës që ai mbronte do të thoshte edhe fshirje të vetë postit të tij. Erdogan donte ta mbante me të gjitha mënyrat metropolin e Bosforit, sepse ai e di sa i rëndësishëm është metropoli 15 milionësh për mbijetesën e tij politike. Prandaj ai dërgoi aty "më të mirin". Madje u shpërndanë edhe pllakate me Yildirimin që falënderonte votuesit.

Imamoglusë i dështon festa e fitores

Por pala e AKP-së u gëzua shumë herët. Një njeri i nënvlerësuar nga Erdogani, socialdemokrati Ekrem Imamoglu ishte i panjohur për turqit përtej Stambollit para zgjedhjeve lokale. Në fund ai fitoi me pak vota para Yildirimit dhe mund të fillonte nga detyra. Por një ankesë e presidentit tek Komisioni Zgjedhor solli anulimin e zgjedhjeve në fund të marsit dhe nevojën për një votim të ri.

Imamoglu ka qenë për 5 vite kryetar i minibashkisë, Beylikdüzu në lindje të Stambollit. Babai i tre fëmijëve vjen nga një qytet konservator, Trabzon në Detin e Zi. Ai është rritur në një familje afaristësh ndërtimi. Kandidati rival i Yildirimit njihet si liberal dhe progresiv, ai thekson në fushatë, se i qëndron besnik "traditës kemaliste". Vlerat e demokracisë, përparimit, laicizmit dhe barazisë, që lidhen me themeluesin e shtetit modern turk, Kemal Atatürk janë të rëndësishme për të. Ajo që e ndihmoi Imamoglunë në fushatë ishte edhe talenti për t'u treguar i afërt me popullin. Në një kohë që përfaqësuesit e partisë, CHP shpesh duke elitarë dhe të ngurtë, Imamoglu e flet gjuhën e njerëzve të thjeshtë.

Ekrem ImamogluFotografi: picture-alliance/dpa/L. Pitarakis

Kandidati i CHP-së u flet grupimeve të ndryshme

Megjithë orientimin e tij progresiv, Imamoglu perceptohet edhe si besimtar konservator. Gjatë fushatës në mars që qëlloi me muajin e Ramazanit ai fitoi pikë me agjërimin tek shtresa e besimtarëve. Imamoglu festonte ritualin e prishjes së agjërimit me familjet e Stambollit, e citonte sure të Kuranit.

Për shumë vetë Imamoglu është edhe një simbol i pajtimit. Në duelin televiziv me kandidatin Yildirim, ai theksoi, se do t'i japë fund polarizimit, dhe do të punojë për afrimin mes turqve. Këto fjalë  tingëllojnë mirë si balsam për shpirtin e shumë turqve. Atyre u pëlqen një kandidat që reflekton dhe një njeri miqësor. Megjithë përsëritjen e zgjedhjeve papritur dhe humbjen e hidhur, ai kërkon sërish fitoren. Shanset nuk janë të këqija. Sondazhet e nxjerrin atë para rivalit Yildirim, avantazhi kap 6%. Tek Imamoglu varen shumë shpresa. Madje shumë vetë shohin tek ai fillimet e Erdoganit. Edhe ai në fillim simbolizonte ndryshimin, pas një lufte zgjedhore u ngjit në postin e kryetarit të bashkisë dhe nga ky pozicion përgatiti marrjen e postit në Ankara.