1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet presidenciale në Amerikë dhe Izraeli

Peter Filip15 Tetor 2004

Çfarë ndikimi kanë zgjedhjet presidencial në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zhvillimet e mëtejshme në Lindjen e Mesme? Dhe, për kë do të votojnë hebrenjët amerikanë? Pa marrë parasysh se kudh do të zgjidhet, Izraeli nuk do të ketë pse ankohet, vjen në përfundim në analizën e tij Peter Filip

Ariel Sharon dhe Xhorxh Bush
Ariel Sharon dhe Xhorxh BushFotografi: AP

Ka kohë që një gjë është mëse e qartë dhe zgjedhjet presidenciale amerikane për politikanët arabë për këtë shkak paraqesin një tmerr: të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve të tilla dhe gjashtë muaj më pas nuk mund të pritet asnjë inisiativë pozitive nga Uashingtoni për një zgjidhje të konfliktit në Lindjen e Mesme. Vetëm ky fakt i mjafton Izraelit pasi që në rrethana të këtilla politike ai mund të zbatoj më lehtë gjërat të cilat në kohë tjera do të mund të bienin në kundërshtim të Uashingtonit.

Vëzhguesit arab këtë e arsyetojnë gjithnjë me rëndësinë e elektoratit hebrej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk është vetëm kjo: Shtetet e Bashkuara edhe pa këta votues njihen si aleatë të ngushtë të Izraelit dhe nuk janë vetëm hebrenjët ata të cilët duhet të mirren në konsideratë nga një kandidatë për president. Ekziston edhe një numër i madh i fundamentalistëve protestantë posaçërisht në shtetet federale jugore të cilët në themelimin e shtetit të Izraelit e shohin përmbushjen e një profetizimi të zotit dhe qëndrojnë pas qeverisë së Izraelit njëjtë si shumë hebrenjë amerikan.

Në veçanti qeveritë e djathta izraelite gëzohen për mbështetjen e këtyre grupeve aq sa politikanët e partisë Likud si përshembull Begin dhe Shamir me rastin e vizitave të tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillimisht vizitojnë siç shprehen ata "miqët tanë në shtetet federale jugore", para se të takohen me përfaqësuesit e shoqatave hebreje. Kryeministri aktual Ariel Sharon nuk ka nevojë të vizitoj jugun, aleati i tij më i mirë ndodhet në Shtëpinë e Bardhë: Xhorxh Bush vjen edhe vet nga një rreth religjioz-fundamentalist andaj dhe mund të pranoj më lehtë sqarimet e Sharonit se po luftohet në fushëbetejën e njëjtë - kundër terrorizmit dhe fanatizmit dhe për demokracinë e lirinë.

Bush ka kohë që është aleati më i mirë i Izraelit në Shtëpinë e Bardhë. Por sa do t`i ndihmoj kjo në zgjedhje është diçka tjetër. Kjo për faktin se hebrenjët amerikan historikisht dhe tradicionalisht kanë qëndruar më afër demokratëve. Dhe me gjithë simpatinë për Izraelin: vetëm konservatorët, në veçanti neokonservatoërt përreth Bushit identifikohen edhe me qeverinë konservatore në Jeruzalem, të tjerët nuk janë të gatshëm të mbështesin politikën e Lindjes së Mesme të ndjekur nga Richard Perle dhe Paul Volfovitz.

Megjithatë pa marrë parasysh se kush do të zgjidhet në fillim të nëntorit Izraeli nuk do të ketë pse të ankohet. Me rizgjedhjen e Bushit do të vazhdonte aleanca e ngushtë me Sharonin. Dhe nëse Kerri do të bëhet president i ri nuk do të guxoj që me shpejtësi të ndryshoj në parim politikën e Bushit në Lindjen e Mesme. Kjo u bë e qartë kur kandidati demokrat në pranverën e këtij viti shfaqi dyshim në ngritjen e murit të sigurisë përgjatë rajoneve palestineze. Kerri ndërroi shumë shpejtë strategjinë dhe deklaroi se Izraeli duhet të ndërrmarrë masa për sigurimin e tij.