1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjerimi i rrjeteve sociale shqetësim për Facebook-un

Christian Ignatzi/Jona Havari5 Dhjetor 2013

Më pak të rinj janë duke përdorur Facebook, duke e kthyer vëmendjen e tyre drejt mediave të tjera sociale, që duket se janë shtuar shumë kohët e fundit. A po i ikën koha rrjetit më të madh social në botë?

Fotografi: picture-alliance/dpa

Facebooku është zgjeruar. Të paktën kjo është ajo që thonë studiuesit, që merren me sjelljen e përdoruesve të rinj të internetit dhe gjithashtu numri i përdoruesve e pasqyron këtë. Rrjeti social pati një problem në vitin 2013: përdoruesit nën moshën 35 vjeç u janë drejtuar gradualisht platformave të tjera, që janë më interesante për ta. Ky lajm erdhi nga shefi i financave të Facebook-ut, David Ebersman, kur ai në një konferencë shtypi me analistë të financave prezantoi shifrat e kompanisë. Çmimi i aksioneve për pak kohë u zhyt në një vorbull.

Por ende ky nuk është një problem për Facebook, tha trajnuesi i medias Niels Bruggen nga instituti kërkimor i medias JFF në Mynih. "Në zhvillimin e vrullshëm të biznesit të mediave sociale, platforma e Facebookut është bërë aq e madhe sa ajo aktualisht nuk është në rrezik serioz .

Por kjo nuk vlejti për rrjetin social të studentëve ‘Studi – VZ'. Ai u godit rëndë nga konkurrenca e Facebook duke mbyllur kështu shërbimet e tij në Spanjë, Francë, Itali dhe Poloni në vitin 2009. "Problemi me këtë platformë është se në një moment, ajo mbeti në vend duke mos ofruar më zhvillime të reja", tha Karsten Wenzlaff nga Instituti për Komunikim dhe Mediat Sociale në Berlin.

Rrjetet e tjera sociale si twitter po gjejnë përdorim më të madhFotografi: Reuters

Ta mbash interesin në rritje


Me Facebook ishte ndryshe. "Ne tashmë mund të themi se platforma është vjetëruar, por ky nuk është ndonjë problem i madh", tha Wenzlaff. Kompania është duke u përpjekur të mbetet interesante me programe dhe karakteristika të reja, tha ai. Kjo ndihmon për të ruajtur një numër përdoruesish, madje edhe përdoruesit e rinj, gjë që funksionon vetëm në një hapësirë të kufizuar. "Ata duan gjithmonë një rrjet të veçantë për çdo funksion," tha Wenzlaff. Të rinjtë ndajnë fotot me Instagram dhe ata mund të bisedojnë nëpërmjet WhatsApp, ose Snapchat, të cilat po rriten dhe zhvillohen me shpejtësi.
Shumë ekspertë të rrjeteve sociale besojnë se kjo do të jetë fatale për Facebook. Jetëgjatësia mesatare e rrjeteve sociale në internet është pesë deri në shtatë vjet, por shembuj të tillë si "Wer Weiss Wen?" (Kush e di që?) rrjeti në Gjermaninë jugore tregojnë se me kalimin e kohës pavarsisht se numri i përdoruesëve mund të bjerë, një pjesë e rëndësishme e përdoruesve mbetet. Në qoftë se konkurrenca përbën një kërcënim, Facebook thjesht e blen atë, siç ishte rasti së fundi me Instagram.

Mungesa e privatësisë nuk përbën problem

Por pse është në rënie numri i personave nën 35 vjeç? Studiuesit bien dakord se duhet bërë një dallim mes të rinjve dhe adoleshentëve. Nxënësit e shohin si të bezdisshme, kur prindërit e tyre, mësuesit dhe trajnerët e futbollit regjistrohen në rrjetet sociale. Ata kanë idenë se Facebook është "infektuar nga prindërit", është përhapur shumë." Ata gjithashtu nuk shkojnë në të njëjtat bare si prindërit e tyre", thotë Wenzlaff.

Smartphones lehtësojnë kalimin në platforma të tjera si WhatsappFotografi: imago/Rüdiger Wölk

Një problem tjetër, që është ngritur shpesh, është diçka, që përdoruesit e rinj janë kryesisht indiferentë ndaj tij, por gjithashtu kanë dhe probleme, që të merren me mungesën e privatësisë. “Parametrat e privatësisë në Facebook janë shumë të komplikuara, por megjithatë çdokush e di në fakt se kush i sheh ato, që ju postoni."

Rrjeti është bërë mjaft " jo-miqësor për të rinjtë", thotë Wenzlaff. Përdoruesit më parë i tregonin miqve të tyre të gjitha lajmet e reja, por tani Facebook shfaq vetëm postimet e zgjedhura. "Më parë, çdo gjë ishte shumë më interesante”, thotë ai, duke shtuar se beson që Facebook është bërë shumë i komplikuar. Përdoruesit preferojnë që ta ndryshojnë rrjetin dhe pengesat për portale të tjera kanë rënë.

"Më parë, askush nuk donte t'i përdorte rrjetet e tjera, për shkak se nuk dëshironin të shtonin edhe njëherë të 400 shokët e tyre në listën e miqve", thotë Bruggen. "Sot ata nuk kanë nevojë të shqetësohen më për këtë gjë." Smartphones do të kujdesen për këtë dhe ato janë pajisjet, që përdorin shumica e të rinjve për rrjetet sociale si shërbimi popullor i chatit "WhatsApp" në përgjithësi Facebook ka humbur rreth 1.2 milionë përdorues në SHBA në tremujorin e parë të vitit 2013, sipas Socialbakers.

Pjesëmarrje pasive

Por nuk është nevoja, që Facebooku të bjerë në panik. Për më tepër numri i përdoruesve gjithmonë ka qenë i paqëndrueshëm. Bruggeni thotë se këto shifra paraqesin më shumë një rënie të pjesëmarrjes aktive në këtë platformë sesa përdorues, që braktisin Facebookun.

Ka ende përdorues, të cilët janë mbi moshën 35 vjeç. Ata vazhdojnë t'i qëndrojnë besnik Facebookut dhe kjo gjë mund të shpjegohet. Ata shpesh janë të interesuar për faqet e biznesit dhe të politikës, në të cilat mund të gjejnë atë çka i përshtatet më tepër. Për më tepër, ata janë shpesh të lumtur duke përdorur një portal të vetëm në internet, ndërsa fëmijët e tyre janë gjithnjë në kërkim të vendeve të reja, që të mund të kalojnë kohë së bashku. Facebooku thjesht është rritur.