1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjidhet problemi me grevistët imigrantë në Greqi

10 Mars 2011

Në Greqi përfundoi greva e urisë e 300 imigrantëve afrikano-aziatikë që zgjati 44 ditë dhe vuri jetën e tyre në rrezik por edhe në sprovë të madhe qeverinë. Qeveria plotësoi kërkesat e grevistëve.

Grevistët pas lajmit të mirë.Fotografi: DW

Dëbora e djeshme e marsit, që bie rrallë në Athinë, u solli një ditë të bardhë, në sfondin e zi të krizës, me sa duket imigrantëve. Mbrëmja e 9 marsit shënoi edhe fundin e suksesshëm të grevës 44-ditëshe të urisë të 300 imigrantëve afrikano-aziatikë të Athinës dhe Selanikut, që vuri në sprovë jetën e grevistëve, por edhe vlerat e shoqërisë greke. Në pallatin neoklasik të Ipatisë grevistët priten me entuziazëm të madh vendimin e qeverisë pas takimit dyorësh të ministrave të Brendshëm, të Mbrojtjes së Qytetarit, të Shëndetësisë dhe zëvendës ministres së Punës me përfaqësinë e grevistëve.

“Kjo që u bë sot është është një fitore e madhe për grevistët imigrantë të urisë në radhë të parë por edhe për të gjithë imigrantët”, i thotë Deutsche Welles përfaqësuesi i grevistëve dhe kryetari i Forumit të Imigrantëve të Kretës, marokeni Hasan Kavzua, në oborin e ndërtesës të mbushur nga të rinj solidarë, qytetarë të thjeshtë por edhe grevistë urie që me gjithë drobitjen e grevës shumëditëshe dalin nga çadrat dhe dy sallat e ndërtesës ku dhanë betejën e tyre.

Legalizimi i qëndrimit

Sipari i grevës ra pas propozimit të përmirësuar të qeverisë që u siguron legalizimin me 8 dhe jo 12 vjet qëndrimi të dokumentuar në Greqi dhe status toleranceje pa afat për gjithë të tjerët që mund të shkojnë dhe në vendet e tyre pa dokumente udhëtimi. Ajo çka u arrit dhe për të cilën një grup të rinjsh solidarë shpërthen në valle në oborr duket se nuk është thjesht një përligjie e imigrantëve. “Për të 300 grevistët e urisë, u hap një port për të gjithë migrantët pa letra në Greqi, arritje që kanë të bëjnë me totalin e imigrantëve siç është reduktimi i pullave të siguracionit nga 200 në 120 në vit për rinovimin e lejes së qëndrimit, dhe nga 80 në 50 në vit për rinovimin e librezës shëndetësore jo vetëm për imigrantët por edhe për çdo punonjës”, i thotë DW përfaqësuesi i Nismës së Solidaritetit, Thanasis Kurkullas, aktivistë të sëcilës u qëndruan në krahë si askush tjetër imigrantëve dhe dy prej tyre të premten përballen me drejtësinë për nxitje të grevistëve.

Rezistenca e grevistëve

Thanasis KurkullasFotografi: DW

Përballë akuzave se ishin ata që i sollen imigrantët nga ishulli largët i Kretës, fillimisht të strehuar në Fakultetin Juridik, dhe se “vënë në peripeci vendin në kulmin e krizës”, Nisma e Solidaritetit u tregua po aq rezistente sa edhe grevistët. “Kurrë nuk menduam që të braktisim betejën. Ishin grevistët që na e dhanë këtë forcë të cilët dhanë një betejë deri në fund. Kjo na dha forcë edhe ne për t'i dhënë përmasa gjigande lëvizjes së solidaritetit, që i kaloi caqet e Greqisë dhe u bë evropiane dhe ndërkombëtare”, thekson Kurkullas.

E majta foli për “fund pozitiv që solli satisfaksion dhe optimizëm në shoqërinë greke”, por zgjidhja e dhënë sigurisht që nuk mund të gëzonte edhe atë pjesë të shoqërisë greke që i sheh imigrantët “si barrë të rëndë” dhe “rrezik” për vendin në krizë. “Sigurisht që u referoheni auditorëve të djathta dhe ultra të djathta. Po u themi se nuk prish punë, le të mos mërziten shumë, shoqëria greke tregoi se nuk është edhe aq armiqësore ndaj imigrantëve” thotë Kurkullas. Por nuk është vetëm e djatha, e cila foli për “devijim absolut nga ligji” dhe “legalizim klandestinësh” apo e djathta nacionaliste për “përulje të qeverisë para imigrantëve dhe solidarëve të tyre”.

Greva ishte e mundimshme...Fotografi: picture alliance/dpa

“Hapet kaceku i Eolit” paralajmëroi gazetari Aris Portosaltis nga SKAI TV duke i bërë kështu jehonë opinionit konservator se tani hapet rruga për flukse të reja klandestinësh.

Lehtësim për qeverinë

Qeveria ka çdo arsye që të ndjehet e çliruar nga një çështje që arriti në caqet e një “katastrofe humanitare” dhe n ga ana e saj akuzon pozitën e djathtë për “qëndrim të papërgjegjshëm”. “Shqetësimi i të gjitha ministrive bashkëkompetente ishte garantimi i jetës së njerëzve në radhë të parë. Ishim të sigurt se me zbatimin e ligjit dhe një analizë të hollësishme do ia dilnim mbanë” thotë zëvendës ministria e Punës, përgjegjëse për imigracionin Ana Dallara.

Me aktivistë të tij si Liliana Salihaj, drejtuese e njohur e imigracionit të Kretës, që ishte në krahë të grevistëve gjithë këtë periudhë dhe mbremë prezente në festimin e fitores, imigracioni shqiptar bëhet pjesë e fitores së grevistëve. “Unë grevistët i njoh dhe personalisht. Kam 15 vjet që luftoj për të drejtat e imigrantëve pa pasur shumë rëndësi nëse emigranti është shqiptar apo arab, është imigrant dhe kemi të njejtat probleme”, thotë Liliana, e cila me letër të hapur pati guximin qytetar të vetëdeklarohet si “nxitëse” e grevistëve. Ashtu si tani nuk ngurron të theksojë se “në qoftë se greva do të kishte krahë imigracionin shqiptar, si komunitetin më të madh, atëhere fitorja do të ishte edhe më e madhe për imigracionin në tërësi”.

“Kur përpiqesh, kur lufton, fiton dhe të drejta. Shqiptarët duhet të mësojnë që të drejtat nuk të vijnë në pjatë, për të drejtat duhet të luftosh”, thotë Liliana që ashtu si dhe grevistët e sheh grevën vetëm si “një stacion” në përpjekjen e tyre të vazhdueshme për një pozitë më të denjë në shoqërinë greke.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Bahri Cani