1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjidhja ende e largët: kriza e Kosovës

Thomas Brey
9 Shkurt 2019

Ka 20 vjet që “kriza e Kosovës” shfaqet në titujt e gazetave. Gjendja e staus quo-së ngjan më shumë me një paqe të bllokuar se sa me një paqe të vërtetë. Një prezantim i fakteve.

Kosovo Nord-Mitrovica
Fotografi: DW/J. Djukic Pejic

Si këto ditë 20 vjet më parë, në Rambouillet të Francës filloi konferenca ndërkombëtare e paqes për konfliktin që zgjaste disa dekada midis Serbisë dhe Kosovës, të banuar nga shqiptarët. Beogradi nuk pranonte asnjë propozim që i prezantohej. Më 24 mars 1999, NATO filloi ndërhyrjen ushtarake, të parën ndërhyje gjatë ekzistencës së saj. Bombat e NATO detyruan ushtrinë serbe dhe shumë njësi paramilitare, që të tërhiqeshin nga Kosova, pasi kishin detyruar dëbimin e 800 mijë shqiptarëve. Që prej asaj kohe, Kosova, e cila u bë më 2008 shteti më i ri i Europës dhe u nda nga Serbia, u vendos pak a shumë nën vëzhgimin ndërkombëtar. Trupa mbrojtëse e Kosovës, e drejtuar nga NATO, KFOR-i, u bë garanci për sigurinë. BE u përpoq për dhjetë vjet me radhë, që të formonte me misionin e saj më të madh jashtë BE-së, EULEX-in, një shtet juridik demokratik.

Gjendja

Kosova vazhdon të jetë një nga shtetet më të korruptuara. Mediat dhe drejtësia kanë ngelur varur në klanet e politikës. Kontrabanda e armëve, drogës dhe qenieve njerëzore janë „sektorët ekonomikë" më të rëndësishëm. Papunësia është e madhe. Kush ka mundësi të largohet migron në Europën Perëndimore. Në Serbi gjendja është e njëjtë, megjithëse vendi është zyrtarisht kandidat për t'u pranuar në BE. Komisioni i BE-së, ka parashikuar madje vitin 2025, si datë e mundshme pranimi. Megjithëse BE është duke ndërmjetësuar prej vitesh midis fqinjëve të armiqësuar, përparime për qetësimin e konfliktit të vazhdueshëm nuk janë bërë. Parlamenti serb sapo u tall me BE-në, duke e quajtur „tigër pa dhëmbë".

Pse nuk janë duke u arritur përparime në këtë krizë, megjithëse SHBA dhe BE kanë vënë në dispozicion ushtri me diplomatë dhe ekspertë, si dhe miliarda euro? Gjendja është ashpërsuar madje javët e fundit. Linjat e bisedave midis Beogradit dhe Prishtinës janë shumë larg njëra-tjetrës.

Shqiptarët e Kosovës kanë marrë vendim të krijojnë ushtrinë e tyre. Reagimet e Serbisë luhaten midis indinjatës dhe mungesës së fuqisë. Prishtina vuri taksa 100 përqind për mallrat serbe, sepse Beogradi nuk do që ta njohë Kosovën, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Dëmet ekonomike të Serbisë vlerësohen mbi 100 milionë euro. Javën e kaluar, parlamenti i Kosovës nxorri ligjin që e bën minierën e Trepçës kombëtare, megjithëse kjo sipërmarrje e rëndësishme është prej kohësh një pikë e diskutueshme midis dy vendeve fqinjë.

Mungon interesi në arritjen e përparimeve në konfliktin e Kosovës

Ekzistojnë disa pengesa të rëndësishme, që e pengojnë zgjidhjen e krizës së Kosovës. Sepse praktikisht askush nuk ka interes në zbutjen e shpejtë dhe afatgjatë të konfliktit. Presidenti i gjithëpushtetshëm serb, Aleksandar Vuҁiҁ, është një aktor shumë i mirë. Nuk dihet nëse ai është po aq i apasionnuar me shahun sa kolegu i tij rus, Vladimir Putin. Sidoqoftë, të dy politikanët e nivelit të lartë janë mjeshtra taktike në shahun politik të Ballkanit.

Sipas studimeve të fundit ka dalë se Moska nuk ka interes që t‘ i japë një përgjigje përfundimtare çështjes së Kosovës. Sepse nëse do ta bënte do të humbiste ndikimin në rajon. Prandaj pengon me veton e saj Këshillin e Sigurimit të OKB, që të marrë vendime për Kosovën, kundër interesave të aleatit të ngushtë, Serbisë. Dhe kështu qëndron e lidhur ngushtë me Serbinë, si vendin më të madh dhe më të rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor.

Serbia

Vuҁiҁi i Serbisë është rritur me temën e Kosovës. Fillimisht ai ka qenë një nga mbështetësit e partisë së Slobodan Millosheviçit, që vdiq në Hagë, në Gjykatën ndërkombëtare për krimet e luftës, dhe që iu ngarkuan luftërat që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Vuҁiҁi ka shtatë vjet që qëndron në pushtet. Kjo falë premtimeve që i ka bërë Berlinit, Uashingtonit dhe Brukselit se do të punojë për një zgjidhje në çështjen e Kosovës. Për këtë Perëndimi i la dorë të lirë në politikën e brendshme. Askush nuk ka ushtruar kritika të ashpra që Vuҁiҁi ka ndërtuar një sistem autokratik pushteti. Nëse presidenti i jep vërtet fund konfliktit të Kosovës, atëherë ai nuk do trajtohej më në mënyrë speciale nga Perëndimi. Vuҁiҁi do të duhej të merrej me kritikat për mosrespektimin e institucioneve demokratike si dhe vënin nën kontroll të drejtësisë dhe mediave. Përveç kësaj, sipas të dhënave të veta, Beogradi i jep çdo vit 500 milionë euro pakicës serbe në Kosovë. Paratë administrohen pa kontrollin e askujt. Kështu që gjithnjë mund të mbetet diçka për xhepat e veta.

Kosova

Edhe në Kosovë udhëheqësit politikë nuk janë të interesuar në ndonjë paqe afatgjatë me fqinjin, Serbinë. Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë rritur në luftën e armatosur kundër Serbisë. Edhe sot ata marrin simpatinë nga populli nëpërmjet antiserbizmit. Si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, opozita është shumë më radikale se sa qeveritarët. Në Beograd opozita nacionaliste akuzon Vuҁiҁin për tradhëti kombëtare, për shkak të gatishmërisë për bisedime me Prishtinën. Partia opozitare nacionaliste në Kosovë, Vetevendosje, do donte që sot të ndërpriste çdo lloj kontakti me Serbinë, derisa pavarësia të njihej nga Beogradi.

Vështrim

SHBA ka nën presidentin Donald Trump probleme krejt të tjera botërore, që e lënë Ballkanin mënjanë. BE duket se e ka ulur angazhimin, pas shumë proceseve të pasuksesshme ndërmjetësimi. Askush nuk beson se duke pasur parasysh zgjedhjet për Parlamentin Europian në maj, e ngarkuara me politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini, do të përdorë gjithë fuqinë që ka për të ofruar një zgjidhje të konfliktit të Kosovës. Çdo gjë tregon për ngrirjen e konfliktit të Kosovës. Kjo gjendje nuk e minimizon rrezikun e konflikteve të dhunshme.

Dialogu Beograd-Prishtinë ka mbetur në vend numëroFotografi: picture-alliance/AA/EU POOL
Pjesa veriore e MitrovicësFotografi: DW/J. Djukic-Pejic