1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deutsch-französische Lösungen für Europa

10 Janar 2012

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy janë të një mendjeje në çështjet e politikës evropiane. Gjatë një takimi në Berlin ata folën për hapat që duhen bërë në stabilizimin e euros.

Presidenti francez Sarkozy dhe kancelarja gjermane Merkel konsultohen në Berlin
Presidenti francez Sarkozy dhe kancelarja gjermane Merkel konsultohen në BerlinFotografi: Reuters

"Ne e kemi krizën e euros nën kontroll" - ky është mesazhi që kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nikolas Sarkozy, lëshuan pas takimit të tyre ditën e hënë (09.01.2012) në Berlin. Në konferencën e shtypit dhënë në kancelarinë gjermane ata të dy demostruan unitet sa i përket politikës financiare evropiane. Në këtë mënyrë jepet sinjali se Gjermania dhe Franca pretendojnë të marrin rolin drejtues në BE edhe në vitin 2012.

Euro vazhdon të jetë e rrezikuar

"Synimi për forcimin e monedhës sonë të përbashkët, euros, është një synim ambicioz por i arritshëm," tha Merkel. "Ne besojmë tek euro dhe Evropa", plotësoi Sarkozy. Gjendja është shumë e tensionuar, por së bashku me kancelaren gjermane ai është duke punuar për gjetjen e zgjidhjeve të zbatueshme, për të rivendosur besimin e tregjeve dhe arritur zhvillimin e Evropës.

Asnjë vend nuk do të dalë nga zona e euros, tha Merkel duke patur parasysh Greqinë, e cila merr ndihma të mëdha financiare nga BE. "Greqia duhet të ketë edhe një shanc, por Greqia mbetet rast i veçantë". Fytyrat serioze të të dyve u çelën për një moment, kur Sarkozy komentoi një përgjigje të Merkelit me fjalën gjermane "genau- saktë!" duke shkaktuar të qeshura në sallë.

Një pakt i ri për më shumë stabilitet

Kancelarja dhe presidenti francez përgatitën në Berlin takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të BE-së, që do të mbahet në fund të janarit, në të cilin pritet të merren vendime të rëndësishme. Pakti i ri për thellimin e bashkimit monetar, i njohur edhe si pakti fiskal, duhet të plotësohet. Disiplina më e madhe buxhetore dhe sanksionet kundër mëkatarëve janë pikat kryesore të paktit, për të cilin u morën vendime në muajin dhjetor. Në këtë mënyrë duhet të luftohet kriza e borxheve të euros. "Është e kënaqshme, që bisedimet për paktin fiskal janë duke përparuar," tha Angela Merkel.

Gjermania dhe Franca janë forcat nxitëse të paktit. Plani fillestar i Merkelit dhe Sarkozy-së për të bërë ndryshimin e pakteve të BE-së dështoi për shkak të kundërshtimit të Britanisë së Madhe. Tani, do të përpilohet një pakt ndërshtetëror, i cili nuk është ligj i detyrueshëm për të gjithë komunitetin. Atij mund t`i bashkangjitet vullnetarisht çdo shtet i BE-së që e sheh si të vlefshëm.

Franca shton presionin

Në çështjen e taksimit të transaksioneve financiare Presidenti Sarkozy nuk do që të presë çfarë do të bëjë pjesa tjetër e Evropës. Në muajin shkurt qeveria e tij do t`i paraqesë një projektligj parlamentit francez. "Nuk ka kuptim që shitja e lëndëve ushqimore dhe e pasurive të patundshmë të taksohen dhe tranksaksionet financiare jo", argumenton Sarkozy. "Unë mendoj se është inisiativë e mirë që Franca tani kërkon të verë pikat mbi i," komenton kancelarja gjermane.

Merkel dhe SarkozyFotografi: dapd

Komisioni i BE-së nuk e ka me aq ngut sa presidenti francez, i cili pret që të rizgjidhet në muajin prill. Komisioni kërkon të marrë deri në pranverë aprovimin e mundësisht të 27 vendeve të BE-së, për vendosjen e taksave mbi transaksionet financiare. Nëse nuk arrihet kjo, atëherë do fillojë plani B, futja e taksës mbi transaksionet financiare vetëm në zonën e euros, pra pa Britaninë e Madhe për shembull, e cila është kundër. Merkel thotë se mendon se një kompromis i tillë është i mundshëm. Por, për këtë nuk është arritur uniteti në qeverinë gjermane.

Autor: Nina Werkhäuser/ Aida Cama
Redaktoi: Elert Ajazaj

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë