1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjim i hidhur për BE - Trendi i populizmit në rritje

27 Nëntor 2023

Fitorja e populistit të djathtë, Geert Wilders ka shkaktuar valë shokuese në të gjithë Europën, duke hedhur hije në zgjedhjet europiane të vitit të ardhshëm.

Pllakate zgjedhore me fituesin, Geert Wilders - Fitorja javën e kaluar e populistit të djathtë në Holandë Geert Wilders shihet si një zile alarmi nga politikanë të BE
Fitorja javën e kaluar e populistit të djathtë në Holandë Geert Wilders shihet si një zile alarmi nga politikanë të BEFotografi: Aleksandar Furtula/AP

A mundet që partitë euroskeptike dhe populiste të djathta të bëhen edhe më të fuqishme në Parlamentin e ardhshëm Europian? Për politikanët europianë në Bruksel fitorja javën e kaluar e populistit të djathtë në Holandë, Geert Wilders është një zile alarmi. Me shqetësim për pasojat e zgjedhjes së populistit holandez, Wilders në zgjedhjet europiane vitin e ardhshëm u shpreh politikanja liberale gjermane, FDP dhe kryetarja e komisionit të Bundestagut për mbrojtjen, Marie-Agnes Strack-Zimmermann.

Ajo e quan "GeertWilders një rrezik serioz për Europën e hapur ndaj botës, që na bën të qartë, se zgjedhjet europiane rrezikojnë të kthehen në zgjedhje proteste të zgjedhësve të skajshëm, por edhe se tema e migracionit të pakontrolluar njerëzit me drejtë i preokupon." Sipas Zimmermann të gjithë demokratët duhet të bashkohen ta zgjidhin këtë problem "së bashku dhe shpejt", me qëllim që të mos ketë rritje të atyre partive të vogla që duan të hyjne në BE për ta shkatërruar atë nga brenda.

Kreu i grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane, Manfred Weber është shprehur, se kush do të luftojë radikalët dhe ekstremistët duhet të dëgjojë njerëzit, t'i marrë seriozisht dhe të zgjidhë problemet e tyre. Sipas Weber "nëse shtetet e BE  nuk e vënë nën kontroll krizën e migracionit, do të rriten Wilders dhe të tjerë si ai." Ai kritikoi deklaratat e holandezit Frans Timmermass, zëvendëspresident i KE, që u shpreh i tronditur pas fitores së Wilders. Sipas Weber, kush fyen votueset e votuesit si antidemokratë, siç e bën Frans Timmermans ai thellon përçarjen në shoqëri.

Protesta në Amsterdam pas fitores së WildersFotografi: Ramon van Flymen/ANP/picture alliance

Hartleb: Populistët e djathtë në trend europian

Për Florian Hartleb, drejtor i Institutit Studimor Europian për Luftimin e Terrorizmit dhe Konflikteve në Vjenë, EICTP nuk është gjë e re që zgjedhjet europiane janë zgjedhje proteste, çështja që shtrohet është nëse është e mundur të fillojnë kundër-projekte ndaj populizmit të djathtë. Kemi nevojë për një Europë të fortë në kohët e tronditjeve të mëdha të rendit botëror. Këtu ka shumë mundësi veprimi për politikanët e partive të tjera të ngrenë zërin. Sipas Hartleb "është një trend europian, sepse tema vendimtare dhe kjo duhet të na shqetësojë është politika e pazgjidhur e migracionit...kjo është një zile alarmi për ne,  tema e migracionit, duhet të zgjidhet" u shpreh ai për radion gjermane, ndr.

Zëvendëspresidetja e Parlamentit Europian, dhe kandidatja e emëruar e SPD-së, Katarina Barley e shikon si pikë shqetësuese normalizimin e fenomenit të nacionalistëve të djathtë në Europë. "Ne duhet të mësojmë, se politika që nxitet nga urrejtja dhe përjashtimi nuk duhet normalizuar asnjëherë", tha Barley për Rheinische Post.

Parlamenti Europian, Bruksel - Fotografi: Daniel Kalker/dpa/picture alliance

Brohorima tek populistët

Partitë e djathta populiste në Europë që e uruan menjëherë Wilders janë në eufori aktualisht. Në kongresin e partisë populiste të djathtë gjermane, AfD në Magdeburg u tha qartë se "askush nuk mund të na anashkalojë më ne në Parlamentin Europian". Në Gjermani kjo parti shënon prej javësh rritje të ndjeshme në sondazhe. Edhe në Suedi e Finlandë partitë populiste të djathta janë partnerë koalicioni në qeverisje me kristiandemokratët. Në Itali madje në krye të qeverisë është një Giorgia Meloni nga një parti postfashiste, Frattelli d'Italia.

Salla plenare e Parlamentit EuropianFotografi: Dwi Anoraganingrum/Future Image/IMAGO

Hovi i partive populiste të djathta ka qenë në qendër të debateve mediatike gjatë javës së kaluar. Me shqetësim në një analizë të gazetës spanjolle "El Pais" të premten vërehet se pasojat e fitores së Wilders do të ndjehen vitin e ardhshëm. "Europa po rrëshqet drejt ekstremizmit të djathtë., Tek shumë qeveri që ndërkohë drejtohen ose bashkëdrejtohen nga parti që në fokus kanë frikën, intolerancën, aversionin ndaj të huajve, si në Suedi Finlandë, Republikën Çeke, Sllovaki, Hungari, Itali shtohet tani edhe fitorja e partisë së Lirisë....Kreu i saj Geer Wilders është antieuropian dhe sovranist, një armik i migracionit dhe islamit dhe mohues i ndryshimit të klimës. Pra mishërimi i ideologjisë ekstreme të djathtë në Europë. ...Rritja e ultra të djathtëve në Europë do të ketë pa asnjë dyshim ndikim në zgjedhjet europiane në qershor", analizon "El Pais".

la/ndr/dpa/rp/tgsch

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë