1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zhvillohet raundi më i madh elektoral në historinë e BE-së - Qytetarët e BE-së votojnë për Parlamentin Evropian

13 Qershor 2004

Pas zgjerimit të BE-së edhe me 10 vende të reja anëtare që nga 1 maji i këtij viti Parlamenti Evropian do të ketë 732 deputetë. 162 deputetë vijnë nga vendet e reja anëtare. Gjermania me 99 deputetë ka delegacionin më të madh në këtë parlament, ndërsa Malta e përfaqësuar me pesë deputetë përbën grupin më të vogël.

Grafiku i zgjedhjeve për Parlamentin Evropian
Grafiku i zgjedhjeve për Parlamentin EvropianFotografi: EU/DW

342 milionëve qytetarëve me të drejtë vote në BE u është bërë thirrje të japin votën e tyre për përbërjen e Parlamentit të ri Evropian. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian kanë përfunduar ndërkohë në 6 vende anëtare dhe vazhdojnë gjatë së djelës në 19 vendet e tjera. Rezultatet zyrtare pritet të shpallen të hënën në mbrëmje.


Nacionalistët në pushtet në Maltë, vendi më i vogël anëtar i BE-së, tashmë kanë pranuar humbjen në zgjedhjet evropiane. Partia opozitare e punës ka fituar shumicën e votave, ndaj ajo do të ketë edhe tre mandate parlamentare, ndërsa partia në pushtet do të përfaqësohet vetëm me dy deputetë në Parlamentin Evropian.

Në Hollandë dhe në Britaninë e Madhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian u zhvilluan me 10 qershor. Në Hollandë u publikuan rezultatet paraprake të komunave, ku rezulton se kristiandemokratët dolën franksioni më i fuqishem me 24,4%, duke kryesuar ndaj socialdemokrateve që arriten të marrin vetëm 23,6% të votave. Të dy partitë marrin nga 7 mandate nga 27 deputetë gjithsej që përfaqësojnë Hollandën në këtë parlament. Për Hollanden është e kenaqshme pjesëmarrja në zgjedhje. Në zgjedhjet e fundit 1999 shkuan në votime vetëm 30%. Tani kuota e pjesëmarrjes ishte 38%, gjë që u cilësua sukses për Evropën.

Sa u përket zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në Britaninë e Madhe, rezultatet pritet të publikohen të djelën. Por këto votime përkuan edhe me zgjedhjet lokale, të cilat i shkaktuan humbje të ndjeshme laburistëve të krymeinistrit Toni Bler. Me votën e tyre qytetarët shprehën indinjatën ndaj politikës britanike për Irakun duke i nxjerrë laburistët në vendin e tretë.

Në Çeki gjithashtu kanë përfunduar votimet për Parlamentin Evropian dhe koalicioni qeverisës pranoi humbjen. Kryeministri socialdemokrat Vladimir Spidla deklaroi, se "as që ka dyshim që ne i kemi humbur zgjedhjet." Në këtë mënyrë në Çeki fituan konservatorët që janë kundër integrimit evropian. Partia demokratike në opozitë ka marrë 31% të votave, ose 24 mandate, partia komuniste me 17% do të ketë pesë deputetë në Parlamentin Evropian, ndërsa socialdemokratët dolën forca e tretë me 10,5%, ose 3 mandate. Pjesëmarrja në zgjedhjet për Parlamentin Evropian që u zhvilluan ditën e premte në Çeki ishte 29%.

Në bazë të anketimeve të kryera në Gjermani kryeson partia kristjandemokrate/kristjansociale në opozitë. Janë 1000 kandidatë gjermanë që konkurrojnë për 99 mandatet në Parlamentin Evropian.
Pjesëmarrja në zgjedhjet për Parlamentin Evropian që pas zgjedhjeve të para direkte ka pasur rënie të vazhdueshme. Në vitin 1979 votoi gati 2/3 e elektoratit me një pjesëmarrje rreth 63%. Në vitin 1999 votoi gati gjysma e elektoratit me një kuotë pjesëmarrjeje prej 49,8%.


Forcat kryesore të përfaqësuara deri më sot në Parlamentin Evropian janë demokratët, Partia Popullore Evropiane dhe Demokratët Evropianë, që përbejnë grupin më të madh me 232 nga 626 deputetët që kish deri më sot parlamenti. Sigurisht ky fraksion kërkon ta ruajë këtë pozicion edhe në periudhën e ardhshme legjislative. Po të arrihet kjo EVP do të jetë për herë të dytë forca drejtuese në Parlamentin Evropian. Për 20 vjet me rradhë që nga zgjedhjet e para në vitin 1979 deri në vitin 1999 ka kryesuar fraksioni i partisë socialdemokrate të Evropës, me numrin më të madh të deputetëve.

Forca e tretë në Parlamentin Evropian janë liberalët dhe partitë demokratike të Evropës. Para 20 vjetesh hynë për herë të parë në Parlamentin Evropian edhe të gjelbrit. Përfaqësuesit e të gjelberve nga vendet e reja anëtare të BE-së nuk kanë shumë shanse të hyjnë në Parlamentin Evropian, sepse partitë e gjelbra atje janë të reja dhe kanë pak peshë në vendet e tyre.

Një grup tjetër përbën "Konfederata e Lidhjes së Majtë" e krijuar në vitin 1994. Ky fraksion është një bashkim i një sërë grupimesh të majta të Evropës. Kryesisht këto janë partitë komuniste nga Franca, Portugalia, Italia, Spanja dhe Greqia. Këtij formacioni i ëshë bashkangjitur edhe partia gjermane e socializmit demokratik, si dhe grupimi i gjelbër nordik, në të cilin bëjnë pjesë partitë e majta të Suedisë, Danimarkës dhe Finlandës.