1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zjarret në Greqi kërcënojnë edhe qytetin antik të Olimpit

Niko Anagnosti26 Gusht 2007

Zjarret në Greqi kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha. Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Zjarret në PeloponezFotografi: picture-alliance/dpa

Për 48 orë më radhë Greqia vazhdon të përjetojë makthin e zjarreve më shkatërrimtare të dekadave të fundit. Flakët e tyre shkatërrimtare të ndihmuara nga konfiguracioni malor i terrenit dhe boforët e shumtë vazhdojnë edhe kur shuhen apo vihen nën kontroll të rindizen sërish duke lenë pas deri më sot një bilanc tragjik: në radhë të parë dhe kjo është më e dhimbshmja 53 viktima në njerëz, në mesin e tyre edhe emigrantja 33 vjeçare shqiptare Altina Idriz Tomori që humbi jeten në përpjekjen e përbashkët me viktimën tjetër pronarin e hotelit ku punonte për tu ardhur në ndihmë dy turistëve të huaj. Pamja më shokuese, padyshim ishte ajo e një nene të djegur së bashku me katër fëmijtë e saj. Rebusi shkatërrimtar plotësohet me qindëra shtepitë e djegura por edhe mijëra dynimet e pyjeve dhe plantacioneve frutore, kryesisht ullinj, por edhe të malit Taigjetos, një nga ekosistemet më të çmueshme të Mesdheut që ekologët e krahasuan me djegjen e Akropolit.

Në të gdhirë paralelisht me ekipet që numëronin plagët në frontin e zjarreve kryeministri grek Karamanlis vizitonte shërbimin e zjarrfikësve ku u informua për përpjekjet mbinjerëzore për shuarjen e zjarreve, që 99 në numër, në një front prej dhjetëra kilometrash vazhdojnë vepren e tyre shkatërrimtare në Pepopolez, përfshi edhe Olimpinë e lashtë, por edhe në zona të tjera të Greqisë, ku sot mori flakë edhe një tren por për fat të mirë nuk pati viktima. Kryeministri Kostas Karamanlis, që u gjend në frontin e zjarreve ashtu si edhe gjithë kryetarët e partive politike por edhe presidenti Papulias që siç tha ka humbur njerëz të familjes së tij, në mesazhin drejtuar kombit pas mbledhje së Këshillit të Ministrave bëri fjalë për "tragjedi të paparë", shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe la të hapur mundësinë e një plani të organizuar për destabilizimin e vendit, duke ngjallur për këtë reagimin negativ të një pjese të opozitës së majtë. "Ndjej të njejtën revoltë, atë revoltë që ndjeni edhe ju. Kaq shumë vatra zjarresh, në të njejtën kohë, ne kaq shumë rajone të vendit nuk mund të jetë koinçidencë" tha Karamanlis për të ploësuar se shteti do të bëjë gjithçka për të gjetur fajtorët dhe për ti dënuar.

Forcat e shumta të zjarrfikësve, ushtrisë, qytetarëve dhe rreth 45 avionëve dhe helikopterëve, me të cilat u bashkuan dhe katër franceze, aktualisht nuk kanë mundur të venë nën kontroll frontet e zjarrit edhe pse janë kryer 1.600 fluturime dhe janë hedhur 9.000 tonë ujë. Situata pritet të përmirësohet me hedhjen në frontin e shuarjes së zjarreve edhe të mjetëve të tjera ajrore, kryesisht nga vendet evropiane, midis tyre dhe Gjermania, por edhe Rusia, Izraeli, por edhe vendet ballkanike si Serbia dhe Rumania. "Ndihma ishte e menjehershme" tha ministria e jashtme Bakojani, e cila foli për 31 mjete ajrore shtesë dhe falenderoi për këtë në emër të popullit grek qeveritë evropiane, por edhe atë ruse edhe amerikane.
Zjarret e ndezura kanë shuar aktualisht pasionet e zjarrta të fushates elektorale, që është pezulluar, dhe pritet të shpërthejnë me shuarjen e tyre. Është më se e sigurt se fituesi i tyre, pozita e djathë apo opozita socialiste, që tani bëhet edhe më i paparashikueshëm, do të kalojë mbi thengjitë e ndezura.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW