1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakujdesi dhe papërgjeshmëri

Arben Muka3 Shtator 2012

Javët e fundit rajone të ndryshme të Shqipërisë kanë qenë dhe vijojnë të jenë nën pushtetin e flakëve të zjarrit - Digjen territore pyjesh, kullota, masivë me drurë frutorë, ullishta deri dhe traversat e hekurudhave.

Fotografi: Samir Huseinovic

Sipas njoftimeve që ka bërë të dielën në mbrëmje Ministria e Brendshme në Tiranë, aktive në të gjithë territorin janë 22 vatra zjarri, për të cilat janë mobilizuar përveç ekipeve të zjarrëfikseve, shërbimit pyjor dhe banorëve edhe rreth 700 forca të ushtrisë. Ekspertët e vlerësojnë mjaft të rënduar situatën. Ata dalin me propozime konkrete për reduktimin e dëmeve që shkaktohen në rrethana të tilla emergjence. Prof. dr. Sazan Guri, aktivist për mbrojtjen e mjedisit, udhëhoqi para disa ditëve një nismë qytetare për sensibilizimin e autoriteteve dhe komunitetit për të ndalur katastrofën nga zjarret. Sipas tij, në Shqipëri shpenzohet energji dhe mjete monetare vetëm kur zjarri bën kërdinë, ndërkohë që investimi për gatishmërinë e burimeve njerëzore dhe infrastrukturën për parandalimin dhe eleminimin e zjarreve duhet të jetë gjatë gjithë vitit.

Më shumë sensibilitet për natyrën

Nëse rënia e zjarrit perceptohet si një fenomen natyror me shkaqe nga rritja e temperaturave apo stimulimi nga erërat, në Shqipëri është provuar se fatkeqësisht mbisundon zjarrvënia e qëllimshme nga njerëzit, thotë Prof. Dr. Sazan Guri për DW. Duhet thënë se në Shqipëri zjarret janë njerëzore, si në një marrosje kolektive, për faktin se banorë të papërgjegjshëm të këtyre zonave mbasi i presin pemët në dimër për kërnacka dhe i shesin po në dimër, kujtohen më pas që t'i djegin në behar. Nga përllogaritjet që kemi bërë ne në terren bëhet fjalë për djegien e 4 deri në 5 mijë hektarëve. Mendoni që një hektar ka 600 deri në 1000 hektarë pemë. Dhe megjithëse kemi pak pyje tani kemi kaluar dhe në ekstazën e fundit duke i djegur.

Prof. Dr. Sazan GuriFotografi: DW

Eksperti i mjedisit kritikon reagimin e ngadalshëm të autoriteteve ndaj zjarreve dhe mosorganizimin. Ai tregon rastin e një zjarrëfiksi që konstaton se ka harruar të mbushë depozitën me ujë. Flagrante është po ashtu, kritikon ai, që Ministria e Mjedisit në afër 2 muaj që po digjet Shqipëria nuk ka dalë ndonjëherë të bëjë deklaratë apo ndonjë aksion.

Eksperiencat e vendeve të tjera

Eksperiencat nga vendet e tjera mund të zbatohen edhe në Shqipëri, kërkon eksperti. Në Francë nëse do të ndezësh një zjarr ose të ngresh një barbekju për të gatuar diku në natyrë, duhet të paguash një taksë për të marrë zjarrëfiksen me vete. Kjo do të thotë se zjarret janë të ndaluar, sepse nuk ka interes nga dikush që të paguajë një taksë që është sa njëmijëfish e asaj që duhet të bëjë, thotë Prof. Dr. Sazan Guri. Sipas eksperiencës gjermane, pylli rrethohet me një brez drurësh të njomë. Në rast se ky brez digjet, ai nuk lejon përhapjen e flakëve. Në Turqi ka si rregull, që kur në një tokë private ndodh që të kemi zjarre në kullota ose pyje, atëherë shteti e sekuestron direkt. Ndërsa në Malin e Zi fqinj pyjet janë të rrethuar me kanale ujore në mënyrë që kur shkon zjarrëfiksja  ka ku gjen mjetin e parë të saj që është uji.

Ndërsa Luan Ahmetaj, ekspert në bujqësinë biologjike që prej vitesh është aktivist për mbrojtjen e mjedisit, mendon se në situata të tilla rëndësi ka reagimi i menjëhershëm, duke eleminuar vatrën që në momentet e para. Kjo kërkon krijimin dhe kualifikimin nga autoritetet lokale të disa ekipeve vullnetare të reagimit të shpejtë, të cilët bëjnë rezistencën e parë në terren dhe vlerësojnë se kur duhet mbështetje nga zjarrëfikset apo njësitë e tjera të specializuara, thotë ai për DW. Përveç kësaj duhet të krjiohen dhe basene ujore gjatë rënies së shiut, basene që mund të shfrytëzohen për të shuar vatrat e zjarrit që në gjenezë.

Ligje për krimin mjedisor

Aktualisht aktivistët e mbrojtjes së mjedisit janë duke lobuar tek ligjëvënësit për krijimin e një gjykate të orientuar nga krimi mjedisor. Prof. dr . Sazan Guri thotë se edhe nëse nuk kemi mundësi për ta patur si gjykatë të mirëfilltë që trajton çështje që lidhen me cënimin e shkatërrin e mjedisit, atëherë një seksion në këtë profil mund të funksionojë pranë gjykatës administrative.

Eksperti Luan AhmetajFotografi: DW/A. Muka

Duhet një reformë legjslative që të jetë mbështetëse në parandalimin dhe evitimin e dëmeve nga zjarret, apo nga shkaqe te tjera kur provohet se kryen nga njerëzit. Eksperienca kanadeze që e konsideron djegien e një pylli si krim ekonomik duke e shoqëruar me dënime nga 3 vjet heqje të lirisë, mund të aplikohet shumë mirë edhe në Shqipëri, kërkojnë ekspertët. Vendet e rajonit kanë bashkëpunuar për tejkalimin e situatës. Në ditët e fundit të muajit gusht një helikopter i forcave të ushtrisë turke u përfshi në operacionet e shuarjes së zjarreve në ato rajone, ku për shkak të terrenit të thyer dhe të padepërtueshëm nga ekipet e zjarrëfikseve, opcioni i vetëm ishte hedhja e ujrave nga ajri.

Ndihmë nga rajoni

Leonard Olli, këshilltar për median i ministrit të Brendshëm thotë për DW se Shqipëria ka një sërë marrëveshjesh bilaterale me vendet fqinje. Kjo bëhet në kuadër të SESSIM-it, një nismë bashkëpunimi i vendeve të Europës Juglindore për përballimin e emergjencave civile apo edhe të tjera. Gjithashtu ekzistojnë edhe marrëveshje direkte me Italinë dhe Greqinë për ndihmë nga ajri në raste zjarresh. Me Turqinë, Shqipëria ka gati një marrëveshje shumë të gjerë dhe gjithpërfshirëse për emergjencat, e cila pritet thjesht të ratifikohet nga parlamentet respektive. "Unë besoj se kjo do të bëhet gjatë muajve të parë të sesionit të ri parlamentar në të dy vendet. Por në këtë verë, të gjithë vendet e rajonit patën situata shumë të agravuara të zjarreve në pyje. Edhe Italia edhe Greqia. Dhe për fatin tonë te mirë Shqipëria pati situatë më të lehtë se vendet e rajonit dhe më të lehtë se vitet e mëparshme."