291008 EU Autobauer
30 Tetor 2008
Si pasojë e krizës financiare ndërkombëtare një sërë vendesh evropiane kanë rënë në vështirësi. Kështu Hungaria e rrezikuar nga bankroti shtetëror merr 20 miliardë euro, për të përmbushur detyrimet e saj financiare. Eshtë fjala për një kuader kredish, në të cilën FMN-ja do të kontribuojë me 12,5 miliardë euro, BE me 6,5 miliardë, ndërsa Banka Botërore me një miliardë. Si kundërpërgjigje qeveria hungareze është e obliguar, që të punojë në konsolidimin e buxhetit. Ajo ka shpallur shkurtimin e rrogave të nëpunësve dhe të pensioneve. Komisioni i BE-së bëri të ditur, se do të rrisë fondet e shpëtimit për shtetet anëtare të ndodhura në vështirësi të ngjashme në deri 25 miliardë euro.
Të notojmë së bashku ose do të fundosemi së bashku
Para aksionit të shpëtimit për Hungarinë komisioni që të martën (28.10.) aprovoi paketën gjermane për shpëtimin e bankave prej 500 miliardë eurosh. Komisioni bëri fjalë për një çrregullim të madh të ekonomisë gjermane, i cili e justifikon një masë të tillë. Por jo vetëm në institutet financiare flitet për koordinim.
Presidenti i komisionit José Manuel Barroso tha pas takimit në Bruksel se: „Në ekonominë reale si në tregjet financiare duhet të notojmë së bashku, ose, kështu mendoj unë, do të fundosemi së bashku. Bashkëpunimi evropian nuk është mundësi ekstra. Kjo është rruga e vetme, me qëllim që 27 ekonomi të gërshetuara me njëra-tjetrën të mund ta përballojnë stuhinë."
Komisari për çështjet monetare Jokin Almunia (Joaquín Almunia) kërkoi nga vende të veçanta, që të shfrytëzojnë hapësirat e paktit të stabilitetit, për të minimizuar pasojat e krizës ekonomike. Synimet e stabilitetit duhet të ruhen medoemos. „Pakti i ri na bën thirrje që të kursejmë në kohë të mira dhe të jemi më fleksibël në kohë më të vështira. Tani kemi kohë të tilla.“
Samiti i automobilëve
Këto kohë të vështira ndikojnë edhe në ekonominë e automobilëve. Kjo degë në Gjermani dhe Francë së bashku me shpërndarësit është një nga punëdhënësit më të rëndësishëm. Dhe prandaj në Bruksel u zhvillua në të njëjtën kohë edhe i ashtuquajturi samit i automobilëve. Përfaqësues të kësaj dege, të politikës, të sindikatave dhe të parlamentit evropian së bashku me komisarin për industrinë, Gynter Verhojgen (Günter Verheugen) kanë menduar, se si t´i japin hov të ri prodhimit në rënie të automobilëve dhe njëkohësisht të prodhojnë makina ekologjike. Kristian Shtrajf (Christian Streiff), president i shoqatës së industrisë evropiane të automobilëve, shpjegon vështirësitë: „Ne kemi një krizë ekonomike, që rëndon sot të gjithë degën, dhe ne nuk e dimë, se sa do të zgjasë dhe çfarë përmasash do të marrë. Vështirësitë në dhënien e kredive e pengojnë këtë dege, që të financojë operacionet e saj dhe të ruajë nivelin e investimeve. Dhe konsumatorët janë shumë të kursyer në blerjen e makinave.“
Klima dhe kriza
Prodhuesit e automobilëve i bëjnë thirrje politikës, që të vërë në dispozicion kredi me përqindje të favorshme përmes bankës evropiane të investimeve. Shtetet e veçanta vrasin mendjen nëse duhet të favorizojnë me taksa blerjen e makinave me emetime të kufizuara gazrash të dëmshme. Por nga ana tjetër prodhuesit e automobileve kërkojnë lehtësime. Komisari për ambjetin Stavros Dimas do të fusë deri në vitin 2012 një nivel maksimal të emetimit të gazrave nga 120 gram pro kilometer për makinat e reja. Kjo është një vlerë të cilën deri tani e përmbush vetëm një pakicë e vogël e modeleve.
Prodhuesit që ndodhen mbi këtë kuotë duhet të paguajnë gjobë. Komisari për industrinë Verhojgen mbështet këtu industrinë dhe jo kolegët e sektorit të ambjentit. „Natyrisht shtrohet pyetja, në se ka kuptim, që politika kërcënon me pagime gjobash një sektor të industrisë dhe njëkohësisht i ofron atij, që ta mbështesë financiarisht.“ Verhojgen dhe ndërtuesit e automobilëve theksojnë, se nuk janë kurrsesi për uljen e kuotave të mbrojtjes së klimës. Por grupet për mbrojtjen e ambjentit druhen, se ky sektor do të shfrytëzojë krizën vetëm për të arritur pikërisht atë që do dhe për këtë merr edhe para nga fondet publike.