1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zonë e ndaluar: Japonia ashpërson kontrollin në rajonin përreth Fukushimës

21 Prill 2011

Japonia ka ngritur zyrtarisht një zonë të ndaluar përreth centralit të dëmtuar bërthamor Fukushima. Për shkak të rrezikut radioaktiv vendoset edhe kufiri i lejuar i rrezatimit për fëmijët.

Fukushima zonë e ndaluarFotografi: DW

Kryeministri Naoto Kan deklaroi gjatë një vizite në provincën me të njëjtin emër Fukushima, se zona përreth centralit do të jetë zonë e ndaluar në një rreze prej 20 kilometrash dhe nuk mund të shkelet nga askush pa leje shtetërore. Qeveria e kishte shpallur këtë zonë më parë zonë evakuimi, por nuk ndalohej shprehimisht hyrja.

Vazhdimisht banorët e dikurshëm ishin kthyer për të marrë sendet e tyre shtëpiake, megjithë rrezikun shumë të lartë nga rrezatimi. Tani kjo do të jetë e mundur vetëm me leje dhe nën kushte të caktuara. Njerëzit duhet të pajisen me veshje mbrojtëse dhe dozimetër, deklaroi zëdhënësi i qeverisë Yukio Edano.

Toka përreth Fukushimës kontrollhet për radioaktivitetFotografi: AP

Kujdes për nënat, kopshtet dhe shkollat

Për fëmijët e shkollave dhe kopshteve ka një vlerë të lejuar maksimale për rrezatimin radioaktiv. Sipas saj fëmijët dhe nxënësit lejohen të luajnë në shkolla dhe kënde lojërash në qiell të hapur për sa kohë doza e rrezatimit aty nuk i kalon 3,8 mikrozivert në orë. Këtë e ka deklaruar Ministria e Arsimit në Japoni. Fëmijët reagojnë shumë më tepër se të rriturit ndaj rrezatimit.

Ndërkohë ministria japoneze e Shëndetësisë ka deklaruar se për shkak të katastrofës në Fukushima do të testojë edhe qumështin e gjirit të nënave për vlerat e rrezatimit. Edhe pse nuk ka arsye për shqetësim, është vendosur të bëhet kontroll për arsye sigurie. Një organizatë joqeveritare kishte matur në katër prefektura në afërsi të Tokios vlera të larta të jodit radioaktiv 131 në qumështin e gjirit. Megjithatë ato janë nën kufirin e lejuar për qumështin e foshnjave, ka bërë të ditur organizata.

Autor: AG/Verbica/Arapi

Redaktoi: Auron Dodi