1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zona të lëna në harresë - GTZ ndihmon veriun e Shqipërisë

26 Mars 2010

Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Teknik, GTZ, po zbaton një sërë projektesh në zonat veriore të Shqipërisë. Ndërkohë që edhe qeveria Shqiptare, ka hartuar strategji të reja zhvillimi, për këto zona të lëna në harresë

Agjencia gjermane për Bashkëpunim Teknik, GTZ
Agjencia gjermane për Bashkëpunim Teknik, GTZ

Zona malore e Dukagjinit, me kater komunat e saj në rrethin e Shkodrës, vazhdon të jetë më e varfëra në shkallë vëndi. Kohët e fundit, banorët që jetojnë atje dhe drejtuesit vendor, po bëjnë përpjekje për të terhequr vëmëndjen e strukturave shtetërore dhe organizatave joqeveritare, për të ndihmuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe ekonomisë së rajonit. Prej më shumë se 18 vitesh, banorët e këtyre anëve, po largohen nga fshatrat e tyre dhe kjo për shkak të varfërisë së tejskajshme, mungesës së vëmendjes së duhur dhe infrastrukturës së shkatërruar:

Një tren udhëton nga Tirana për në ShkodërFotografi: Mimoza Dhima

“Një nga problemet kryesore për këtë zonë sot është infrastruktura rrugore, pasi rregullimi i saj do të ndihmonte në përmirësimin e jetesës këtu, e cila njihet për resurset e pasura natyrore “, shprehet një banor.

Më shumë vëmëndje dhe përkujdesje nga ana e qeverisë ndaj këtij rajoni ka kërkuar edhe Arqipeshkvi Metropolit i Arkidioqezës së Shkodër- Pultit, Monsinjor Angjelo Masafra:

“Nga kjo varfëri, mund të lindë mendimi për të mbijetuar nga mbjellja e drogës ose përfitime të tjera të volitshme dhe pasurimi pa shumë mundë. Prandaj i kërkoi strukturave shterërore që të bëjnë diçka për banorët e këtyre zonave “.

Prefekti i Qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, thekson se për zonën e Dukagjinit, tashmë janë gati strategjitë e zhvillimit ekonomik dhe brenda një afati të shkurtër kohor, fillon zbatimi i tyre në terren:

“Zona e Dukagjinit ka një disproporcion midis resurseve që posedon, burimeve natyrore dhe zhvillimit të saj ekonomik. Të gjithë e dimë se kjo zonë, ka një prapambetje historike të trashëguar. Në fakt janë evidente iniciativat e qeverisë për të rritur vëmëndjen e saj si në nivelin e investimeve, ashtu edhe në atë të shërbimeve në këtë zonë“.

I rëndësishëm edhe investimi në sektorin energjetikFotografi: DW

Projektet dhe investimet do të përqëndrohen kryesisht në infrastrukturë, arsim e shëndetësi. Sipas kryetarit të Qarkut Shkodër, Gjovalin Kolombi, do të ndërhyhet për të trajtuar dhe vënë në eficencë të gjitha resurset natyrore të rajonit dhe potencialet turistike e hidrike të tij, në mënyrë që zona e thellë e Dukagjinit të dalë përfundimisht nga prapambetja në të cilën ndodhet aktualisht:

“Në kuadër të vendimeve të reja të qeverisë, së pari do të fillojmë me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, për të vazhduar më tej në zhvillimin sektorial dhe atë rajonal të krejt zonës “.

Sipas përfaqësueses së Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim GTZ, Edlira Kruja, po ndërmerren disa projekte të rëndësishme për nxjerrjen e zonës së Dukagjinit nga situata e vështirë në të cilin ndodhet. Ato kryesisht konsistojnë në uljen e papunësisë dhe nxitjen e sektorit të biznesit në këtë rajon:

“Ne si agjenci, kemi marrë përsipër që të fillojmë një prej projekteve tona, i cili konsiston në turizmin familjar në zonën e Thethit. Një projekt ky i cili mori udhë pas analizës së bërë nga ekspertët ndërkombëtar për zonat malore dhe që do të pasohet nga financime të tjera të këtij karakteri“.

Intelektualët dhe banorët e zonës së Dukagjinit, përmes botimit të revistës dhe gazetës së tyre, po bëjnë përpjekje për të tërhequr vëmëndjen e strukturave përkatëse, për të ndikuar në nxitjen e zhvillimit ekonomik të zonës.

Autor: Leka Plani

Redaktoi: Esat Ahmeti

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW