1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Turizëm

Zvicër: Për një selfie në Iseltwald

20 Nëntor 2024

Një skenë dashurie në një serial koreanojugor shkakton turizëm masiv në një fshat të vogël zviceran.

Turiste duke bere fotografi ne nje liqen ne Zvicer
Moli i fshatit Istewald, i cili mbushet sot përditë me turistë, shumica e tyre nga AziaFotografi: PETER KLAUNZER/KEYSTONE/picture alliance

Iseltwaldi – dikur një fshat i qetë alpin me 400 banorë në Alpet zvicerane, një kënd lojërash – shumicën e kohës bosh – dhe një mol fare të zakonshëm pranë liqenit, mbushet sot përditë me turistë. Shumica e tyre nga Azia.

Qindra syresh e vijnë çdo ditë këtë vend të vogël me anije, autobusë ose me makina me qira, për të shëtitur mbi molin e fshatit dhe për të bërë një selfie me Alpet në sfond.

Sofia dhe shoqja e saj kanë ardhur nga Koreja e Jugutvetëm për pesë ditë në Evropë. "Kjo është dita më e rëndësishme e udhëtimit tonë. Ne donim ta shihnim patjetër këtë mol." - thotë Sofia.

Koha pas koronës

Kryetarit të komunës, Peter Rubi, i kujtohet saktësisht se kur filloi e gjitha kjo: pas përfundimit të pandemisë së koronës dhe kufizimeve për udhëtime. "Kur u rihapën kufijtë dhe njerëzit u lejuan të udhëtojnë, erdhën të gjithë. Dhe tani vazhdojnë të vijnë." - tregon ai.

Mes turistëve janë edhe Annemaria nga Gjermania dhe kushërira e saj, Mercy. "Ne kemi ardhur këtu për shkak të serialit „Crash Landing on You". Kushërira ime ka ardhur posaçërisht nga Filipinet për ta parë këtë vend dhe ne erdhëm nga Gjermania deri këtu, që ajo ta shohë." - tregon Annemaria.

Turistët vijnë në Istewald për shkak të serialit „Crash Landing on You"Fotografi: SWR

Seriali tregon për një histori dashurie midis një koreanojugoreje dhe një koreanoveriori. Është një histori dashurie paksa klishe. Por pika kulmore, skena me piano në mol, është ngulitur në zemrat e miliona fansave.

Fshati nuk është më i qetë si dikur

Po si mendojnë vendasit për turmat e turistëve aziatikë në fshatin e tyre?

"Janë vërtet shumë. Dhe nuk sjellin asgjë. Vijnë këtu, bëjnë ca fotografi, dhe pastaj kthehen me autobusin e radhës dhe lënë pas gjithë mbeturinat." - ankohet Susanne Hefti. "Nuk është më ai fshati i qetë si dikur." - thotë një banore tjetër.

Ka ditë që në Iseltwald vijnë nga 20 autobusë turistësh. Shto dhe autobusët e linjave: plot me turistë. Shpesh në ta nuk ka më vend për nxënësit që shkojnë në shkollë, ankohen banoret e Iseltwald.

Biletë për molin

Prandaj kryetari i komunës së Iseltwaldit vendosi tek moli një portë kalimi. Hyrja për në mol kushton 5 franga.

"Paratë na duhen për mirëmbajtjen e rrugëve dhe të tualeteve, që tani përdoren më shumë se më parë." - thotë Peter Rubi.

Në këtë mënyrë komuna mbledh 100.000 franga në vit. Dhe turistët nuk ankohen. Checky Chen, nga Kosta Rika, thotë: "Isha e përgatitur, se e dija që duhet paguar për të hipur në mol. Mendoj se është në rregull, sepse krijon rregull dhe me të ardhurat përmirësohet infrastruktura."

Kjo masë duket se i ka qetësuar pak edhe banorët e Iseltwaldit, që reagojnë më të qetë për turmat e turistëve mbi molin e tyre.

A po u vjen fundi djathërave zviceranë? Në baxhat alpine mungojnë blegtorët

03:07

This browser does not support the video element.